Mediet franceze i japin jehonë lajmit për dinarin: Vendimi mund të shkaktojë tensione në veri
Mediet franceze i kanë dhënë jehonë lajmit për vendimin e Qeverisë së Kosovës rreth ndalimit të përdorimit të dinarit serb.
Në një artikull të publikuar nga “AFP”, më pas të cituar edhe nga “RFI”, medium publik në Francë, raportohet se kjo lëvizje ka mundësi të shkaktojë tensione ose një krizë të re.
Qysh në fillim të tekstit, përmendet rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës ku thuhet se nga dita e enjte (1 shkurt) “e vetmja monedhë që lejohet të përdoret në Republikën e Kosovës është euro”.
Për mediumin, kanë folur edhe qytetarë nga Mitrovica e Veriut.
“Duket që të gjithë po luajnë me ne. Askush nuk na thotë asgjë… Jam lodhur nga politika”, ka thënë Zoran Ilic.
Pas vendimit të ri, shumë banka atje raportohet se e kanë ndalur punën, dhe kjo ka shkaktuar konfuzion te qytetarët.
“Nuk është normale, asgjë nuk është normale”, ka thënë Aleksandara Jovanovic.
Mediumi po ashtu përmend se qeveritë perëndimore kanë paralajmëruar që kjo mund ta deestabilizojë edhe më shumë situatën, që edhe ashtu, është e tensionuar në veri.
“Jemi të shqetësuar për ndikimin që rregullorja mund ta ketë sidomos në shkolla dhe spitale…”, ishte thënë në reagimin e Quint-it.
Vlen të përmendet se dje në një takim të emisarit Miroslav Lajçak me kryeministrin Albin Kurti është diskutuar edhe kjo çështje.