Mediet nuk lejohen në seancën ndaj deputetëve të Vetëvendosjes
Seanca ndaj katër deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosjes në Gjykatën Themelore të Prishtinës është mbyllur për mediet.
Për këtë veprim, nuk ka vendim me shkrim derisa arsyetimi i gjyqtarit i transmetuar nga ana e Policisë është se salla e gjykimit është e vogël dhe nuk ka hapësirë.
Në këtë seancë pritet të dëshmojnë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe deputeti i LDK-së, Armend Zemaj.
Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi, Albulena Haxhiu dhe Faton Topalli akuzohen për veprat penale “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare”, lidhur me hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.
Në seancën e fundit të 7 dhjetorit, kishin dëshmuar deputeti i LDK-së, Naser Osmani, dhe ai i PDK-së, Bekim Haxhiu, ndërsa Flora Brovina, Xhavit Haliti, Nuredin Ibishi dhe Blerta Deliu-Kodra po ashtu kanë dëshmuar deri më tani në këtë proces gjyqësor.