Mediet turke: Ogani do të mbështesë Erdoganin në raundin e dytë të zgjedhjeve

22 maj 2023 | 11:00

E përditshmja turke “Hurriyet” ka raportuar se Sinan Ogan, kandidati për president i ekstremit të djathtë, i cili ka fituar 5.17 për qind të votave në raundin e parë të zgjedhjeve, sot do të shpallë se kë do ta mbështesë në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.

Siç raporton “Hurriyet”, teksa po vazhdonin konsultimet është parë se brenda Aleancës ATA që ka mbështetur kandidaturën presidenciale të Oganit, nuk kishte konsensus dhe se kishte tendenca për emra të ndryshëm.

Sipas informacioneve të gazetës, Ogani është afër të vendos për t’i dhënë mbështetje Rexhep Taip Erdoganit në raundin e dytë. Ogani pritet të nënshkruajë protokollin me pesë pika dhe të shprehë mbështetjen e tij për Erdoganin.

Mësohet se Ogan është takuar me ministrin e Jashtëm, Mevlut Çavushoglu përpara takimit të tij me Erdoganin. Siç mëson “Hurriyet”, Erdogani i ka ofruar Oganit në takim nënshkrimin e pesë kushteve dhe Ogani i ka thënë se nuk mund ta merrte vendimin i vetëm, por duhet të konsultohej me pjesëtarët e koalicionit.

Kreu i Partisë së Drejtësisë dhe një prej pjesëtarëve të koalicionit ATA, Vecdet Oz, ka deklaruar dje në “Halk TV” se do të mbështesë Kiliçdaroglun në raundin e dytë të zgjedhjeve.

Kujtojmë se raundi i dytë dhe i fundit i zgjedhjeve presidenciale në Turqi do të mbahet të dielën më 28 maj.

Qytetarët do të zgjedhin mes presidentit aktual Rexhep Taip Erdogan, i cili ka fituar 49.5 për qind të votave në raundin e parë dhe Kemal Kiliçdaroglut, i cili ka fituar 44.88 për qind të votave.

Kandidati Sinan Ogan  ka fituar 5.17 për qind të votave në raundin e parë dhe votat e tij mund të jenë një faktor kyç, megjithëse Erdogani ka një avantazh të konsiderueshëm nga raundi i parë i zgjedhjeve.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në mënyrë madhështore ka përfunduar turniri tradicional “Demush Mavraj”, i…