Mediu në takim me Haradinajn: Dialogu me Serbinë t’i garantojë kufijtë e Kosovës
Kryetari i Partisë Republikane të Shqipërisë, Fatmir Mediu, është takuar në Prishtinë me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, me të cilin ka biseduar për dialogun me Serbinë dhe për çështjen e integrimit euroatlantik të Kosovës.
Mediu ka thënë se dialogu me Serbinë duhet të finalizohet me njohjen e Kosovës dhe garantimin e integritetit territorial të vendit tonë.
“Dialogu me Serbinë duhet të finalizojë njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe garantimin e integritetit të territorit dhe kufijve të Kosovës. Ndërtimi i një shteti demokratik funksional në Kosovë është parakusht për të ardhmen e saj, në partneritet me ShBA-në dhe BE-në duke shmangur çdo lloj ndërhyrje nga vende të tjera të cilat janë kundër të ardhmes euroatlantike të Kosovës”, ka shkruar Mediu në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka paralajmëruar se kryeministri Haradinaj në fund të këtij muaji do të ketë një vizitë në ShBA.
“Vizita në fund shtatorit në ShBA, Nju Jork dhe Uashington DC e kryeministrit Haradinaj do i shërbejë këtij qëllimi dhe forcimit të marrëdhënieve me ShBA-në. Ndërtimi i Ushtrisë Kosovës si një force e armatosur qe e ka të ardhmen në NATO është një hap i rëndësishëm në konsolidimin e shtetit të pavarur të Kosovës”, ka shkruar Mediu.
/Epoka e re/