Mediumet serbe: Markoviq ofroi prova konkrete se vrasjet në “Panda” i organizoi Milorad Ulemek Legija
Rasti ‘Panda’ është rasti më i përfolur dhe më i njohur në Kosovë. Përpos akterëve vendorë, për këtë rast monstruoz kanë folur edhe eksponentët e ndryshëm të pushtetit e të opozitës në Serbi.
Para 9 vitesh, Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq, kishte deklaruar për mediumin TV Pink se “nuk ka dëshmi se vrasjen e kanë kryer shqiptarët, ashtu siç besohej”, përcjell Demokracia.
Tentativa e regjimit serb për ta paraqitur UÇK-në si organizatë terroriste para bashkësisë ndërkombëtare ishte arsyeja kryesore e realizimit të këtij akti kriminal.
Mediumi serb NIN, para pak vitesh kishte publikuar një artikull me titullin “Vrasësit e të rinjve nga Peja nuk ishin të UÇK-së?” https://www.telegraf.rs/vesti/925816-ubice-mladica-iz-peci-nisu-iz-ovk
Sipas mediumit serb, Nikola Rajoviq, i cili ishte 18 vjeç në kohën e vrasjes në kafenenë “Panda”, ishte i mbijetuari i vetëm në atë masakër. Ai kishte rrëfyer ngjarjen për këtë medium duke thënë se të natë fatale ka parë dy burra të veshur në të zeza me fantazma në kokë, të cilët nuk kishin asnjë shenjë.
“Ata nuk thanë asnjë fjalë, nuk kishin asnjë shenjë… qëlluan nga dera, nuk hynë brenda“, e përshkruan Rajoviq krimin në të cilin u vranë miqtë e tij Zoran Stanojeviq (17), Svetislav Ristiq (17), Ivan Obradoviq (15), Vukota Gvozdenović (18), Dragan Trifovic (18) dhe Ivan Radević (25)”.
Akuzat e pakonfirmuara, por edhe të pamohuara të shkëmbyera nga Rade Markoviq dhe Milorad Ulemek se DB-ja organizoi vrasjen në kafenenë “Panda” janë në gjurmët e asaj që lidershipi shtetëror lë të kuptohet se vrasësit nuk ishin nga radhët e UÇK-së, shkruante NIN.
Rajoviq nuk është marrë asnjëherë në pyetje gjatë hetimeve dhe e vetmja gjë që di për këtë është, siç tha ai, se “u gjetën 48 gëzhoja dhe një plumb i plotë i pa shkrepur”, si dhe se u arrestuan shqiptarë të dyshuar për vrasje.
Po ashtu, mediumi serb Kurir, në vitin 2014 publikoi një artikull të gjatë, me detaje tronditëse.
“Një burim i afërt me Qeverinë e Serbisë pohon se Radomir Markoviq, ish-kreu i DB-së, u ka ofruar autoriteteve prova konkrete se sulmi në kafenenë “Panda” më 14 dhjetor 1998 ishte organizuar nga Milorad Ulemek Legija. Markoviç dyshohet se ka prova se grupi që kreu atë aksion, i cili për vite besohej se ishte vepër e ekstremistëve shqiptarë, ishte organizuar nga një ish-komandant JSO. Sipas burimit tonë, qëllimi i këtij krimi ka qenë ta portretizojë UÇK-në si organizatë terroriste në sytë e opinionit ndërkombëtar dhe të justifikojë veprimet e forcave serbe në Kosovë“, shkruante mediumi serb Kurir.