Mediumi britanik: Presidentja e KE-së turpërohet nga kryeministri i Kosovës, i përmendet “padrejtësia e madhe”
Një medium britanik ka raportuar se presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, është turpëruar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të mërkurën, para samitit të BE-së në Slloveni, pasi ai ka thënë se është padrejtësi e madhe që pesë shtete të BE-së nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
Mediumi britanik, “Express.co.uk”, ka shkruar se samiti në mes të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor do të mbahet të mërkurën në Slloveni, shtet që e ka presidencën 6-mujore të Këshillit të Bashkimit Evropian.
Diskutimet do të zhvillohen rreth investimeve rajonale, sigurisë dhe rimëkëmbjes së përbashkët ekonomike nga pandemia e koronavirusit.
Faqja britanike e lajmeve ka raportuar se pjesëmarrësit e këtij samiti do ta vlerësojnë progresin e gjashtë shteteve ballkanike – Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë Veriore, Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës – drejt anëtarësimit në BE, raporton “GE”.
EU summit LIVE: VDL shamed as Kosovo PM calls out bloc's 'great injustice'https://t.co/2EPPMFwYRv pic.twitter.com/IZvUKXv7qU
— Daily Express (@Daily_Express) October 6, 2021
Ndryshe, për deklaratën e kryeministrit Kurti, më herët ka raportuar edhe agjencia e njohur e lajmeve, “Reuters”.
“Ka qenë një padrejtësi e madhe, një mungesë e drejtësisë ndaj qytetarëve të vendit tonë”, ka thënë Kurti, kur ka arritur në samit, duke theksuar se pesë shtete të BE-së ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës nga Serbia, shkruan “Reuters”.
“Unë jam për mungesë të frikës në anën e BE-së dhe për mungesë të hidhërimit në anën e Ballkanit. Ende kam shpresë”, ka thënë Kurti.