Mediumi gjerman: Lumir Abdixhiku mund të jetë njeriu që e çon Kosovën në një epokë të re

29 janar 2025 | 13:29

Mediumi gjerman “Capital Beat” i ka kushtuar një artikull të gjatë kandidaturës për kryeministër të Lumir Abdixhikut, kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.

Artikulli trajton vizionin e Abdixhikut për të ardhmen e Kosovës, sfidat që vendi po përjeton, si dhe ndikimin e tij në diasporën kosovare, veçanërisht në Gjermani. S

Sipas “Capital Beat”, Abdixhiku po pozicionohet si kandidati i stabilitetit dhe ndryshimit në një kohë kur Kosova po përballet me sfida të shumta politike dhe ekonomike.

“Në një kohë kur Kosova ndodhet në një udhëkryq, një emër po përmendet gjithnjë e më shpesh në bisedat e qytetarëve, politikanëve dhe vëzhguesve ndërkombëtarë: Lumir Abdixhiku. Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) është pozicionuar si kandidati i ndryshimit dhe synon të marrë postin e kryeministrit të Kosovës më 9 shkurt 2025.” – shkruan mediumi.

Mediumi e paraqet Abdixhiku si një figurë të re dhe dinamike, që premton stabilitet dhe një qasje të matur ndaj reformave. Artikulli thekson gjithashtu entuziazmin që fushata e tij “Turneu i Ndryshimit” ka gjeneruar mes qytetarëve, si dhe mes komunitetit kosovar në Nordrhein-Westfalen, ku jetojnë qindra mijëra kosovarë të integruar në shoqërinë gjermane.

“Abdixhiku, një doktor i ekonomisë dhe baba i dy vajzave, nuk sjell vetëm ekspertizë akademike, por edhe një lidhje të thellë me shqetësimet e qytetarëve. Fushata e tij “Turneu i Ndryshimit” e ka çuar atë nëpër të gjithë vendin, ku ka biseduar drejtpërdrejt me qytetarët, ka dëgjuar shqetësimet e tyre dhe ka ofruar zgjidhje konkrete. Slogani i tij “Bëhu Ndryshimi” është më shumë se një parullë elektorale – ai është një thirrje për një fillim të ri, që ka mobilizuar mijëra njerëz dhe ka sjellë një frymë shprese në vend.” – thuhet aty.

Abdixhiku, shkruan mediumi, synon 5 miliardë euro investime dhe 5% rritje ekonomike, si dhe afrimin e vendit me Bashkimin Evropian.

“Vizioni ekonomik i Abdixhikut është ambicioz, por realist. Ai synon të rrisë buxhetin e Kosovës në 5 miliardë euro dhe të gjenerojë investime shtesë në vlerë prej 5 miliardë eurosh. Qëllimi i tij është një rritje e qëndrueshme ekonomike prej 5% në vit, bazuar në standardet evropiane. Këto plane nuk janë vetëm të rëndësishme për ekonominë e vendit, por edhe për afrimin e Kosovës me Bashkimin Evropian, i cili mbetet një prioritet strategjik për vendin.” – shkruan Capital Beat.

Mediumi shkruan më tej për rolin që Gjermania luan në zhvillimin e Kosovës dhe se si Abdixhiku synon të forcojë këto lidhje.

“Gjermania, dhe veçanërisht Nordrhein-Westfalen, luan një rol qendror për diasporën kosovare. Qindra mijëra kosovarë jetojnë në këtë land, shumë prej tyre të integruar plotësisht, por pa e humbur lidhjen me atdheun. Për ta, Lumir Abdixhiku nuk është thjesht një politikan, por një simbol i shpresës për një të ardhme më të mirë për Kosovën. Komuniteti kosovar në NRW ka pritshmëri të mëdha ndaj Abdixhikut. Ata e shohin atë si një ndërtues urash, që mund të forcojë edhe më shumë marrëdhëniet midis Gjermanisë dhe Kosovës.”

Aty thuhet se zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 do të jenë një pikë kthese për Kosovën dhe se Lumir Abdixhiku paraqitet si një kandidat me potencial të madh për ta udhëhequr vendin drejt një epoke të re zhvillimi dhe stabiliteti.

“Bota do ta ndjekë me vëmendje zhvillimin e ngjarjeve në Kosovë – dhe Lumir Abdixhiku mund të jetë njeriu që e çon këtë vend të vogël, por me rëndësi strategjike, në një epokë të re. Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 mund të shënojnë fillimin e një epoke të re për Kosovën. Lumir Abdixhiku përfaqëson një ndryshim të domosdoshëm. Ekspertiza e tij ekonomike, vizioni i tij politik dhe integriteti i tij personal e bëjnë atë një kandidat të fortë, me potencial për ta udhëhequr vendin më mirë se qeveria aktuale.” – shkruan mediumi gjerman.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, ka shprehur disa kritika ndaj…