Mediumi kroat: Vuçiqi është dora e zgjatur e Putinit
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq është në gjendje të krijojë konflikte ushtarake nëpërmjet strukturave ilegale, si dorë e zgjatur e Vladimir Putin dhe të manipulojë masat për të qëndruar në pushtet.
Kështu shkruan mediumi kroat “Glas Istra”, duke shtuar se Vuçiqi së bashku me Milorad Dodikun, në momente kritike është në gjendje të manipuloj, gënjej dhe t’i shmanget vendimeve të mëdha.
“Si dorë e zgjatur e Vladimir Putinit, ashtu si Milorad Dodik, pa shumë probleme, vetëm për të homogjenizuar popullin dhe për të ruajtur pushtetin, ai mund të krijojë përshkallëzime”, ka shkruar mediumi kroat.
Po ashtu, ky medium ka shkruar se Vuçiqi është një njeri i rrezikshëm me synime që shkojnë deri në inskenimin e një konflikti ushtarak.
“Vuçiqi nuk është vetëm president i një shteti që e ka të vështirë të menaxhojë në momente kritike dhe për këtë arsye manipulon, gënjen dhe shmang marrjen e vendimeve të vështira. Jo, ai është një njeri jashtëzakonisht i rrezikshëm me synime edhe më të rrezikshme që shkojnë aq larg sa për të qëndruar në pushtet, ai është në gjendje të inskenojë një konflikt [ushtarak] përmes një atmosfere të krijuar me kujdes për ‘rrezikimin e serbeve në Kroaci’ ose në Kosovë, ose në Mal të Zi, ose në Bosnje e Hercegovinë”, shkruan mediumi kroat.
Sipas këtij mediumi, Vuçiqi është në gjendje të krijojë retorikën për “denazifikimin” e Kosovës, e përdorur nga Putini me arsyetimin për ta sulmuar ushtarakisht Ukrainën.
“Ai është në gjendje të riformësojë frazën më të rrezikshme të prodhuar nga administrata e Putinit, e cila është ajo për ‘denazifikimin’ e Ukrainës, në ‘denazifikimin’ e Kroacisë ose të Kosovës, ose Malit të Zi, ose Bosnje e Hercegovinës. Andaj, duhet shpëtuar nga çmenduria e ‘popullit serb të rrezikuar’”, ka shkruar “Glas Istra”.
Më tutje, ky medium ka shkruar se Vuçiqi po e helmon popullin serb në bashkëpunim me “kukullat” si Ivica Daçiq dhe Aleksandër Vulin.
“Ky njeri po i çmend dhe i helmon popullin e tij në bashkëpunim me kukullat si Ivica Daçiq dhe Aleksandër Vulin. Kryeministrja Ana Brnabiq është një gjethe fiku. Ai po e përdor orientimin e saj seksual për të treguar tolerancë të rreme ndaj dallimeve. Në sfond është edhe neofashisti Vojsllav Sheshel”, ka përfunduar shkrimin “Glas Istra”.