Mediumi serb: Heshtja e Listës Serbe për rastin e Rakiqit, tregon se ai është rrahur nga njerëzit e Radoiçiqit
Ish-kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ishte raportuar se është rrahur brutalisht në veri.
Megjithatë, rasti nuk ishte raportuar në Policinë e Kosovës.
Mediumi serb “Radar” ka shkruar se heshtja e dukshme e Listës Serbe me këtë rast, gjegjësisht fakti që sulmi nuk mohohet, por as nuk vërtetohet, mbështet në heshtje teoritë se ka qenë një keqkuptim mes bashkëpunëtorëve dhe se Rakiqi është rrahur nga njerëz të Milan Radoiçiqit, ish-nënkryetarit të Listës Serbe.
Që nga fillimi i saj, zyrtarë të Listës Serbe në disa raste kanë qenë objekt i vëmendjes së mediave dhe spekulimeve të shumta se ata janë rrahur rëndë në incidente të ngjashme. Rasti i mëparshëm i tillë ka ndodhur në gusht të vitit 2023, kur Aleksandër Spiriq, ish-kryetar i Komunës së Mitrovicës, papritur është zhdukur nga publiku dhe njëkohësisht është larguar nga të gjitha pozitat.