Medvedevi publikon një hartë të re të Evropës Lindore, çfarë po synon Putini?
Dmitry Medvedev, nënkryetari i Këshillit të Sigurimit të Rusisë dhe një aleat i presidentit, Vladimir Putin, tha se Ukraina është pjesë e Rusisë dhe përjashtoi bisedimet e paqes me udhëheqjen aktuale të Ukrainës.
Në një fjalim nxitës në jug të Rusisë, ai tha se Rusia do të vazhdojë me “operacionin special ushtarak” derisa pala tjetër të kapitullojë, duke shtuar se “pjesët historike të Rusisë do të kthehen në shtëpi”.
Medvedev e mbajti fjalimin përpara një harte të Ukrainës, e cila e tregon vendin si një territor të cunguar, me Rusinë që kontrollon plotësisht lindjen, jugun dhe bregun e Detit të Zi, raporton reuters.
“Një nga ish-udhëheqësit ukrainas tha në një moment se Ukraina nuk është Rusi. Ky koncept duhet të zhduket përgjithmonë. Ukraina është padyshim Rusi”, tha Medvedev.
Ish-presidenti rus përjashtoi mundësinë e negociatave të paqes me lidershipin aktual ukrainas të udhëhequr nga presidenti, Volodymyr Zelensky dhe tha se çdo qeveri e ardhshme ukrainase, nëse dëshiron të negociojë, do të duhet të njohë realitetin e ri në terren.
“Territoret në të dy brigjet e lumit Dnipros janë pjesë e kufijve strategjikë dhe historikë të Rusisë. Kjo është arsyeja pse të gjitha përpjekjet për t’i ndryshuar me forcë, për t’i prerë ato, janë të dënuara me dështim”, shtoi Medvedev.
Ai iu referua edhe marrëdhënieve mes Lindjes dhe Perëndimit, duke akuzuar forcat speciale dhe këshilltarët ushtarakë amerikanë për luftë kundër Rusisë dhe shtoi se marrëdhëniet mes Moskës dhe Uashingtonit janë më të këqija se sa gjatë krizës kubane në vitin 1962.