Mega-projekt në Preshevë, Sinani: Ky është rigjallërimi i çarshisë së vjetër
E lumtur që mori fund draft-projekti për Ringjallërimin e Çarshisë së Preshevës. Ky projekt, një nga më të mëdhenjtë në tridhjetë vitet e fundit në aspektin infrastrukturor dhe të trashëgimisë kulturore, ka filluar para disa muajsh me kërkesën time nga ekspertët më me renome të fushës, të cilat kanë realizuar projekte të shumta me vlerë në rajon, në ringjallërimin e objekteve të trashëgimisë kulturore:
– Dr.Sc. Arbër Sadiki : arkitekt, doktor i shkencave teknike në fushën e urbanizmit dhe arkitekturës nga Universiteti i Beogradit. Sot, Drejtor i Urbanizmit në Komunën e Prishtinës
– Dr.Sc. Bekim Çeko : arkitekt, doktor i shkencave në fushën e trashëgimisë arkitekturore nga Universiteti Mimar Sinan, Stamboll.
– Dr.Sc. Kujtim Elezi : arkitekt, doktor i shkencave teknike në fushën e trashëgimisë arkitekturore nga Universiteti Teknik i Vjenës.
– Dr.Kand. Besian Sinani : konstruktor, doktor-kandidat i konstruksioneve nga Universiteti Nigde, Turqi.
Përgatitja teknike e projektit është përkrahur nga Ministria e Kulturës e Republikës së Kosovës, përkatësisht Ministri, z.Hajrullah Çeku.
I falenderoj përzemërsisht të gjithë për kontributin.
Qëllimi i projektit është që përmes intervenimeve të tipit revitalizues, rikonstruktues dhe adaptues, të rikthehet identiteti i dikurshëm i Çarshisë së vjetër të qytetit si tërësia urbane më identitarja e Komunës sonë, pos tjerash me rrugë me kalldërm dhe të rrethuar në të dyja anët me dyqane zejtarësh të ndryshëm.
Projekti paraqet intervenime në përputhshmëri me gjendjen në të cilën gjendet secila ndërtesë, përkatësisht të mbahet autenticiteti ku është ende e mundur dhe të kthehet aty ku mund të rikthehet.
Punët parashohin që ndërtesat të cilat janë jashtë karakterit origjinal të saj të kthehen në gjendjen e mëparshme në ujdi paraprake dhe me interes reciprok me pronarët e tanishëm.
Me rikthimin e Çarshisë së vjetër, përpos pasurimit të qytetit me një shtresë të rëndësishme historike të tij me të cilën kujtesa kolektive e qytetarëve është ngushtësisht e lidhur do kemi edhe përfitime të drejtpërdrejta ekonomike.
Kthimi i kësaj zone në një tërësi urbane me karakter historik do të mundësoj që shumë prej ndërtesave të rifilloni të ofronin shërbime të ndryshme artizanale duke mundësuar që profiti i tyre biznesor të shumëfishohet.
Bashkërisht me ekspertët dhe Ministrin e Kulturës të Republikës së Kosovës, z.Hajrulla Çeku, draft-projektin do ta prezantojë së shpejti në diskutim publik me qytetarët, banorët dhe ekspertët lokalë, për t’i shqyrtuar nevojat eventuale të përmirësimit, plotësimit e pasurimit të tij.
Në ndëkohë jam duke vazhduar fazën përmbyllëse të negociatave me financuesit potencial të huaj, të cilat kanë shprehur interesimin e tyre për ta përkrahur projektin, me idenë që pas pak kohësh të fillojmë punimet e para të realizimit të projektit.
Çarshia e vjetër është identitet i krejt Komunës së Preshevës. Është historia jonë. Është vlera jonë.
Bashkë do t’ia kthejmë rëndësinë e saj. Për historinë e djeshme, për kulturën e sotme dhe për ekonominë e nesërme.
Për Preshevën e Re ?
Ardita Sinani, kryetare e Preshevës
#Çarshia #TrashëgimiaKulturore #Ekonomia