Megjithatë, fjala nuk mbeti peng
Adem Gashi
(Për librin “Peng më mbeti fjala” të Dibran Demakut, “Armagedoni”, 2022)
Kishte kohë, ndoshta vit, që autori më kishte vënë në dijeni për një dorëshkrim me poezi. Meqë me një pjesë të krijimtarisë së tij në fushën e prozës tregimtare isha marrë më herët dhe e njihja afinitetin e tij në atë terren, nuk isha pa kureshtje se si do të vinte në poezi.
Demaku u shfaq në letrat shqipe në çerekun e fundit të shekullit XX. Puna në redaksinë e programeve për fëmijë të Radiotelevizionit të Prishtinës i dha dorë ta njohë për së thelli e për së mbari botën e fëmijëve, shpresat, ëndrrat dhe imazhet e tyre. Fundja letërsia është letërsi pavarësisht ndarjeve tipologjike për fëmijë a për të rritur.
Përjetimet e luftës së fundit dhe jeta e puna në mërgim i shtuan atij edhe interesime për sfera të tjera tematike e larmi motivesh. Ai shtjelloi me sukses edhe tregimin dhe zhanre të tjera letrare.
Në këtë libër sot na vjen me lirika. Ndryshe nga çfarë shkruhet e botohet sot në lëmin e poezisë, me prirje izmash e eksperimentesh, Dibrani i rri besnik formës tradicionale, të mjaftueshme për shtjella përmbajtjesh të reja. Ai e kultivon organizimin e vargut në strofa (katrenë, tercinë e distik); e begaton me larmi rimash (nga e puthitur deri tek e alternuara), pa harruar as tipat e poezisë trioleta, rondel e të tjera.
Rima dhe ritmi i vargut i japin muzikë më vete poezisë së tij. Nganjëherë vargu a poezia e tij të vjen si një recital dhe të bëhet se në prapavijë dëgjohen tingujt e prajshëm të një kitare andaluziane. Pozicioni prej ku e shkruan vargun Demaku, pra hapësirat gjermane ku ai gjëllin, është krejtësisht i shkëputur. Ndjenja a impulsi poetik i vjen atij vetëm nga vendlindja, domethënë nga plangtoni “ku i ka rënë koka” – siç do të thoshte Çajupi.
Dashuria, dhembja e dhimbja, malli e nostalgjia përbëjnë kompozicionin e ndjenjave më universale njerëzore.
Në librin e Dibranit ka edhe lot (shumë lot), po nuk janë nga ata që ushqejnë patetikën. Lotët na shfaqen edhe në situata të madhërishme, edhe në situata heroike, edhe në baladat për luftëtarët e lirisë. Këtu ai ka përjashtuar patetikën dhe emfazën e çastit, duke këmbëngulur në heroizmin e vetvetishëm. Subjekti lirik, mënjanë emrave të përveçëm, ngrihet e thuret mbi fenomenin, bëmën e tij që vjen e bëhet gurë themeli në godinën madhore të lirisë së atdheut.
Dibrani në këtë vëllim poetik dëshmon konsistencë e qëndrueshmëri. Nuk gjej lëkundje e amplituda rëniesh e ngritjesh, nuk gjej ngutje e ekzaltime vetëkënaqësie. Ai “këndon” në varg, ai është kantautori që magjeps çastin, atë çastin e vetmisë që nga boshi bëhet mbushullues duke i shndërruar strofat në refren.
Sintaksa poetike, tropet dhe figurat, madje edhe në rastet kur ka ndonjë shpërthim ironik, vijnë të ekuilibruara dhe mençurisht të gjetura.
Po të më kërkohej që, doemos, të formuloja një mendim përmbledhës për këtë vëllim poetik, do t’i bëja një riformulim titulli: Dibrani, megjithatë, nuk e la peng fjalën.
Po mbresa ime personale?
Ah, më kishte marrë malli të lexoja një poezi të këtillë të endur me kaq mjeshtëri forme.