Mehaj: Aeroporti i Gjakovës po funksionalizohet për ushtrinë
Autoritetet në Kosovë kanë bërë me dije se kanë përfunduar të gjitha procedurat për shpronësimin e tokave në Babaj të Bokës që gjendet në komunën e Gjakovës, dhe në Aeroportin e Gjakovës.
Shpronësimi i këtyre tokave dhe kalimi i tyre si pronë e Qeverisë së Kosovës do të mundësojë fillimin e zbatimit të projekteve strategjike për ushtrinë e Kosovës në këto dy zona.
Këtë e kanë bërë me dije në një konferencë për media të enjten ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, dhe ai i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.
“Aeroporti i Gjakovës po funksionalizohet për qëllime të mbrojtjes dhe Babaj e Bokës do të shndërrohet në zonë operacionale të FSK-së, në të cilën do të ndërtohet poligone taktike sipas standardeve të NATO-s”, ka thënë ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.
Në Aeroportin e Gjakovës, Mehaj ka thënë se planifikohet ndërtimi i objekteve të ndryshme me qëllime operacionale për ushtrinë e Kosovës.
Realizimi i këtyre projekteve, sipas tij, po bëhet me qëllim rritjen e kapaciteteve trajnuese të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Investimet në këto projekte infrastrukturore do të bëhen në bashkëpunim me partnerët strategjikë të Kosovës, në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në këto projekte, Mehaj ka thënë se në mënyrë direkte do të investohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Bëhet fjalë për investime milionëshe për të garantuar që ushtria jonë do të ketë t’i gjitha kushtet për zhvillimin e trajnimeve për kapacitete mbrojtëse. Këto poligone taktike do të jenë në funksion, jo vetëm për ushtrinë e Kosovës, por për të gjitha partnerët tanë strategjikë”, ka shpjeguar Mehaj.
Aeroporti i Gjakovës, pas luftës së viteve 1998/99, është rindërtuar nga misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, përkatësisht nga paqeruajtësit italianë.
Deri në vitin 2013, ai është përdorur për mbështetjen e aktiviteteve ushtarake të misionit të NATO-s.
Në dhjetor të atij viti, pas një marrëveshjeje të nënshkruar ndërmjet qeverive të atëhershme të Italisë dhe Kosovës, Aeroporti i Gjakovës me të gjitha mjetet për operim është transferuar tek autoritetet e Kosovës.
Gjashtë vjet më vonë, me një vendim të Qeverisë së Kosovës, aeroporti i është dhënë në shërbim Ministrisë së Mbrojtjes, përkatësisht Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Aeroporti i Gjakovës gjendet rreth 5 kilometra në veri të qytetit të Gjakovës. Është i vendosur në një hapësirë relativisht të rrafshët – rreth 400 metra mbi nivelin e detit.