Mehaj e takon homologen gjermane, e falënderon për ndihmën ndaj FSK-së
Në kuadër të vizitës zyrtare dyditore në Gjermani, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj është takuar të martën me homologen gjermane, Christine Lambrecht dhe stafin e saj.
Lajmin e ka bërë me dije Ministria e Mbrojtjes së Kosovës nëpërmjet një komunikate për media.
“Me këtë rast krahas diskutimit për situatën e re gjeopolitike dhe sfidat në mjedisin aktual të sigurisë, të dy ministrat diskutuan edhe nivelin e bashkëpunimit bilateral në fushën e mbrojtjes si dhe fushat për thellimin e mëtejmë mes dy ministrive respektive”, është thënë në komunikatë.
Krahas shprehjes së falënderimit për mbështetjen e madhe në ndërtimin dhe zhvillimin e FSK-së, ministri Mehaj ka ritheksuar mirënjohjen e thellë për investimet gjermane në vendin tonë si dhe për kontributin shumë të çmueshëm të trupave ushtarake të forcave gjermane në operacionin e KFOR-it në sigurinë e vendit dhe qytetarëve tanë .
Ndërsa ministrja Lambrecht ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e operacionit humanitar të NATO-s nga FSK-ja për evakuimin e afganëve, mbështetjes së popullit dhe Qeverisë së Ukrainës dhe sanksioneve kundër Rusisë si dhe ofroi mbështetjen në vizionin tonë për anëtarësim në NATO.