Mehaj: Ekipet e FSK-së po vazhdojnë kërkim-shpëtimin në Turqi
13 shkurt 2023
| 16:34
Ministri Armend Mehaj, ka mbajtur të hënën një takim me stafin e lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, rreth operacionit të kërkim-shpëtimit në Turqi.
“Aktualisht po operojmë me kontingjentin e specializuar të FSK-së në provincën Hatay, që është dhe rajoni më i prekur nga tërmeti shkatërrimtar”, ka shkruar Mehaj në “Facebook”.
Më tutje, Mehaj ka njoftuar se deri më tani FSK ka shpëtuar nga rrënojat katër persona.
“Ushtarakët tanë profesionistë në fushën e kërkim-shpëtimit kanë shpëtuar deri më tani katër persona, ndërsa po vazhdojnë kërkimet për të mbijetuar të mundshëm në rrënojat e ndërtesave, së bashku me ekipet turke dhe forcat e shteteve të tjera”, ka shkruar Mehaj.