Mehaj falënderon Turqinë për mbështetjen në zhvillimin e kapaciteteve të FSK-së
Në vazhdën e takimeve me përfaqësuesit e korit diplomatik në Kosovë, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka pritur sot në takim ambasadorin e Republikës së Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angili.
Me këtë rast, ministri Mehaj ka shprehur mirënjohjen dhe vlerësimin e lartë për mikpritjen nga ana e Republikën e Turqisë me rastin e vizitës së tij, për bashkëpunim e ngushtë në mes të dyja vendeve si dhe për ndihmën dhe mbështetjen e ofruar në ndërtimin, zhvillimin dhe avancimin e aftësive dhe kapaciteteve operacionale ushtarake të FSK-së.
Në këtë takim, u bisedua për mundësinë e ofrimit të përkrahjes së vendit tonë për proceset e rëndësishme që është duke kaluar, siç është mbështetja në procesin e Partneritetit për Paqe.
Gjithashtu, u diskutuan mundësitë e zgjerimit të mëtejmë të bashkëpunimit bilateral, veçanërisht në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, ku u theksua mundësia e shtimit të mëtejmë të bashkëpunimit në fushën e arsimimit dhe trajnimeve ushtarake dhe shkëmbimin e personelit.