Mehaj: FSK-ja, institucioni më i besueshëm nga qytetarët e Kosovës
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, e ka marrë një lajm jashtëzakonisht të mirë në vizitën e tij që është duke e zhvilluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA).
Mehaj ka thënë se sipas një ankete të realizuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), FSK-ja vlerësohet si institucioni më i besueshëm i sigurisë nga qytetarët e Kosovës.
“FSK, vlerësohet institucioni më i besueshëm i sigurisë nga qytetarët e vendit. Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) konfirmon se Forca e Sigurisë së Kosovës edhe këtë vit doli të jetë institucioni më i besueshëm i sigurisë në vend për qytetarët e Kosovës, me nivel edhe më të lartë se viteve tjera, me 82 për qind të besueshmërisë qytetare”, ka thënë ai.
Më tutje, ai ka thënë se ky është pasqyrim i zbatimit të duhur të objektivave me përkushtim të lartë udhëhequr nga parimi i transparencës dhe llogaridhënies të plotë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës.
“Ky rezultat padyshim është pasqyrim i zbatimit të duhur të objektivave me përkushtim të lartë udhëhequr nga parimi i transparencës dhe llogaridhënies të plotë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës”, ka thënë Mehaj.