Mehaj: Humbja tragjike e dy qytetarëve në Pejë është lajm i rëndë dhe pikëllues për të gjithë
Humbjen tragjike të jetës së dy qytetarëve për shkak të vërshimeve në komunën e Pejës, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, e ka cilësuar si lajm të rëndë dhe pikëllues për të gjithë.
Në një postim në Facebook, Mehaj ka njoftuar se pas informacioneve të marra, njësitet e kërkim-shpëtimit kanë qenë në terren për të ndihmuar në përballimin e situatës.
“Sot ishim për ngushëllime në familjen e cila humbi dy më të dashurit e saj, jemi të prekur thellë nga kjo tragjedi që ka goditur secilin. Që nga momenti kur kemi marrë informacionet për vërshime, ne kemi qenë në gjendje gatishmërie dhe në kontakt me autoritetet lokale. Njësitet tona të kërkim-shpëtimit që nga mbrëmë kanë qenë në terren për të ndihmuar në përballimin e situatës”, shkroi ai.
“Gjithashtu sot së bashku me kryetarin e komunës së Pejës, z. Gazmend Muhaxheri dhe me Ministrin, z. Elbert Krasniqi, përfaqësues të AME-së, Policisë së Kosovës dhe FSK-së, kemi dalur në terren dhe kemi parë nga afër gjendjen, jemi në dispozicion me gjithë kapacitetet tona të për të ndërhyrë aty ku ka nevojë për t’iu shërbyer qytetarëve. Falënderojmë të gjithë për punën dhe sidomos qytetarët të cilët i kanë dalur në ndihmë njëri-tjetrit, urojmë këtë situatë të kalojmë sa më shpejt, me sa më pak pasoja”, shtoi më tej Mehaj.
Një nënë bashkë me fëmijën e saj 5 vjeç, kanë vdekur të shtunën në Pejë, si pasojë e vërshimeve, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Sipas Policisë, nëna fillimisht është zhdukur, por është gjetur pas kërkimeve të ekipeve policore në lagjen “Asllan qeshme”.