Mehaj inspekton nga afër aktivitetet gjatë stërvitjes fushore “Phoenix Alfa”
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka inspektuar nga afër ekzekutimin e aktiviteteve të planifikuara gjatë stërvitjes fushore “Phoenix Alfa”, të realizuar nga Regjimenti i Dytë i Komandës së Forcave Tokësore të FSK-së.
Në adresimin e tij përpara ushtarëve, Mehaj ka vlerësuar angazhimin e tyre dhe profesionalizimin për arritjen e aftësive taktike operuese për realizimin e misionit dhe detyrave specifike të forcave tokësore.
Ministri Mehaj ka theksuar se “Phoenix Alfa” është dëshmia e radhës dhe konfirmim i fuqishëm se aftësitë dhe kapacitetet operacionale ushtarake për mbrojtjen e integritetit territorial të vendit janë në shkallën e zhvillimit dhe gatishmërisë në përputhje të plotë me qëllimin tonë strategjik.
Stërvitja fushore “Phoenix Alfa” është në kuadër të planit vjetor të stërvitjeve për ngritjen e aftësive dhe kapaciteteve operacionale për mbrojtjen e integritetit territorial të vendit.