Mehaj: Kërcënimet e Vuçiqit ndaj Kosovës, dëshmi se shteti serb po e vazhdon politikën hegjemoniste serbo-madhe
Ish-ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka bërë një reagim publik, pas paralajmërimeve të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, për kërcënim ushtarak ndaj shtetit të Kosovës.
Sipas Mehajt, këto kërcënime të Vuçiqit, janë dëshmi se shteti serb nuk ka ndryshuar por ka vazhduar politikën hegjemoniste serbo-madhe.
”Kërcënimet e Vuçiqit, kundër shtetësisë, sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Kosovës, janë permanente dhe përbëjnë dëshmi se shteti serb nuk ka mundur dhe nuk ka ndryshuar, por vetëm e ka vazhduar politikën hegjemoniste serbo-madhe.
I rikujtoj presidentit serb, se Kosova është shumë herë më fortë se ajo e viteve 1998-1999, dhe mbi të gjitha në ndërtimin e kapaciteteve të saja ushtarake. Armatosja e kësaj të fundit nga armët me moderne, janë dëshmi me e paktë se shteti ynë është më i fortë se sa duket në pamje të parë.
Po ashtu, forcimi i Policisë së Kosovës dhe organeve të tjera të sigurisë, tregon pjekurinë dhe forcimin e shtetit të Kosovës karshi sovranitetit të saj.
I siguroj gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, që siguria jonë është në nivelin më të mirë të mundshëm, kjo fal rritjeve të kapaciteteve të Ushtrisë sonë, Policisë sonë e organeve të shërbimeve inteligjente të Kosovës, rritje kjo e bërë falë mbështetjes së NATO-së dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Qytetarët tonë, duhet të flenë të qetë ashtu siç e tha miku im e miku i madh i Kosovës, ambasadori amerikan, Jeff Hovenier.
Kosova është me fat se krah asaj ka miqtë e saj të prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e tjera të NATO-së.
Sa i takon anëtarësimit të Serbisë në NATO, mendoj se ajo patjetër duhet të anëtarësohet në NATO dhe të largohet nga orbita e orientimit rus.
Edhe pse Serbia e ka mbështetur Ukrainën ushtarakisht kundër agresionit rus, kjo ka qenë më shumë formale dhe farsë, këtë e din miqtë tanë fort mirë.
Kërcënimet e Serbisë për luftë në Kosovë, i ka me qëllim të dëmtimit ekonomik të Republikës sonë.
Anëtarësimi i Republikës sonë në NATO, është rruga e vetme dhe përpjekja e jonë për të arritur në këtë Aleancë të vendeve demokratike do të jetë e pandalshme.
Kosova duhet të jetë vendi i 33 anëtar i NATO-së. Për këtë punojmë çdo ditë e do të punojmë në vazhdimësi”.