Mehaj: Me Kosovën në NATO siguria e shqiptarëve do të merrte garanci jetike
Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj ka se gjatë këtyre 74 viteve të ekzistencës së NATO-s, intervenimi i saj më 1999 për ndaljen e gjenocidit të ushtruar nga Serbia mbi shqiptarët në Kosovë, është operacioni më i madh i kësaj aleance deri sot.
Mehaj përmes një statusi në “Facebook” ka thënë se kjo e bën Kosovën një vend të rëndësishëm dhe krejt të veçantë në historinë e NATO-s.
“Aq më tepër që fushata 78-ditore e bombardimeve të NATO-s mbi Jugosllavi, e çliroi përfundimisht Kosovën, duke i hapur rrugë shpalljes së pavarësisë së saj më 2008. Krijimi i Republikës së Kosovës si shteti më i ri evropian dhe si një vend me shtet ndërtim demokratik të suksesshëm, është treguesi më i fuqishëm se sa e drejtë ishte ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, pasuar nga misioni i KFOR-it deri sot. Kur u themelua më 4 prill 1949, Organizata e Traktatit Veri Atlantik u ndërtua nga 12 shtete. Përgjatë viteve, edhe 19 vende të tjera i janë bashkuar NATO-s, mes tyre edhe Shqipëria më 2009 si dhe Finlanda së fundi, duke shkuar në 31 numri i shteteve anëtare”, ka thënë Mehaj.
Tutje Mehaj u shpreh se Suedia është shteti i radhës që pritet tu bashkohet vendeve aleate në familjen e madhe të NATO-s, si vendi i 32-të. Ministri ka thënë se në këtë vazhdë, Kosova mbetet e përkushtuar në punë përveçse këmbëngulëse në aspirata, për tu bërë eventualisht shteti i 33-të në NATO.
“Me Shqipërinë të parën në listë për nga emri si Albania dhe me Kosovën si potencialisht të 33-tën në NATO, ardhmëria e sigurisë kombëtare dhe ndërkombëtare së shqiptarëve do të merrte garanci jetike”, ka shkruar Mehaj në “Facebook”.