
Mehaj në ShBA thotë se po bëhet përshpejtim i procedurave për blerje të armatimeve
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, së bashku me komandantin e FSK-së, Bashkim Jasharin janë duke qëndruar për vizitë në ShBA.
Ai ka theksuar se po bëhet përshpejtim i procedurave për blerje të armatimeve.
“Furnizimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës me pajisjet më moderne ushtarake është synimi ynë, andaj edhe gjatë takimit me ushtruesin e detyrës të Ndihmëssekretarit të Ushtrisë për Blerje, Logjistikë dhe Teknologji në Departamentin e Mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Douglas R. Bush, diskutuam rreth nevojave të FSK-së për armatime, rëndësisë së përshpejtimit të procedurave të prokurimit të këtyre pajisjeve, si dhe rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit duke rritur numrin e trajnimeve, shkollimin e oficerëve dhe stërvitjeve të përbashkëta”, ka njoftuar Mehaj në “Facebook”.
Ai ka theksuar se në kuadër të këtij bashkëpunimi e ka njoftuar atë edhe për përgatitjet intensive që FSK-ja është duke zhvilluar sa i përket ushtrimit “DEFENDER ’23”, ku FSK-ja do të marrë pjesë me mbi 1300 pjesëtarë, dhe ku pritet validimi i një regjimenti të këmbësorisë.
“FSK-ja është e përkushtuar për plotësimin e të gjitha standardeve të NATO-s në fushën ushtarake, dhe po ashtu është gjithmonë e gatshme të marr pjesë në misione paqeruajtëse dhe humanitare përkrah aleatëve tanë”, ka shkruar ministri Mehaj.