Mehaj për mohimin e Reçakut nga Vulin: S’befasohemi nga pinjollët e Millosheviqit
Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj, ka reaguar ndaj deklaratës së ministrit të Brendshëm serb, Aleksandar Vulin, i cili tha se Masakra e Reçakut ishte “gënjeshtër e madhe dhe fabrikim i jashtëzakonshëm”.
Mehaj, duke thënë se bota demokratike e di të vërtetën, kërkoi edhe reagimin e ndërkombëtarëve ndaj deklaratave të tilla të zyrtarëve serbë, të cilët i quajti “pinjollë të Millosheviqit”, njofton Klan Kosova.
“Të mësuar me mposhtjen e së vërtetës për projektin barbar serb mbi 150 vjeçar për shfarosjen e shqiptarëve, me gënjeshtra e poshtërsi, mundohen ta bëjnë edhe tani pinjollët e kryekriminelit Millosheviç, si Vulin. Neve nuk na befason asgjë nga skenarët e tillë antishqiptarë dhe antinjerëzorë të kreatorëve të krimeve më çnjerëzore”.
Mehaj ka shkruar se e vërteta e Reçakut është parë dhe ndjerë njëjtë sikurse edhe ajo e Vukovarit dhe Srebrenicës.
“E vërteta e madhe, gur e shpirt i skalitur është edhe Almiri 14 vjeçar që iu këputë jeta bashkë me 45 familjarë e bashkëfshatarë të Reçakut, për të vetmin “faj” se ishin shqiptarë, nga gjakatarët barbarë serbë, që udhëhiqeshin atë kohë nga qeveria kriminale serbe ku bënte pjesë edhe Vuçiq”.
“Bota e vlerave demokratike dhe humane duhet të reagojë fuqishëm ndaj kësaj bastardie të qeverisë serbe të radhës, sepse ne nuk harrojmë kurrë!”.