
Mehaj: Përkrah ShBA-së, rruga jonë përpara është e sigurt
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka pritur të martën në takim zëvendëskomandantin e Komandës Evropiane të Shteteve të Bashkuara (EUCOM), gjenerallejtënant Michael L. Howard me delegacionin e tij.
Me këtë rast, ministri Mehaj ka shprehur kënaqësinë për vizitën e gjeneralit Howard duke e njoftuar me të arriturat e deritashme, proceset zhvillimore dhe objektivat për të ardhmen, gjithnjë me mbështetjen e pazëvendësueshme, bashkëpunimin dhe sinkronizimin e ngushtë me autoritetet politike dhe ushtarake amerikane.
Nga ana e tij, gjeneral Howard, ka shprehur vlerësimin e lartë për të arriturat e deritashme të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së dhe siguroi për mbështetjen në proceset zhvillimore edhe në të ardhmen.
Ndër të tjera, të dy diskutuan edhe për zhvillimet në kontekstin e ri gjeopolitik global, si dhe reflektimin e tyre në mjedisin e sigurisë rajonale.
“Republika e Kosovës qëndron fuqishëm përkrahë SHBA-së dhe aleatëve të saj në rrugën e integrimeve euroatlantike si dhe në shërbim të paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal, kontinental dhe global”, ka theksuar ministri Mehaj.