Mehaj: Po përmbyllim vitin me 850 ushtarë dhe kadetë të rinj
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka thënë se viti 2022 ishte vit suksesesh për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).
“Po përmbyllim vitin me 850 ushtarë dhe kadetë të rinj, 84% më shumë investime në pajisje ushtarake, dhe me mbi 2500 ushtarë të trajnuar jashtë vendit vetëm gjatë këtij viti”.
“Ushtria e Republikës së Kosovës më nuk ka kufizim në numër përsa i përket ngritjes së kapaciteteve ushtarake, dhe të gjithë të rinjtë e të rejat ndërmjet moshës 18-25 vjeç mund t’i bashkohen Forcës që është në shërbim të atdheut”, ka shkruar Mehaj në “Facebook”.
Ai ka theksuar se e ardhmja e ushtrisë sonë është në NATO, ngase në përputhje të plotë me misionin e kësaj aleance janë edhe qëllimet tona.
“Përkrah ushtrive të shteteve mike do të vazhdojmë rrugëtimin tonë për konsolidim, ngritje të kapaciteteve profesionale dhe operacionale të FSK-së, në funksion të misionit kushtetues për garantimin e sigurisë, territorialitetit, mbrojtjes së qytetarëve dhe ruajtjes së stabilitetit të shtetit”.
“Urime ushtarakë për çdo rezultat që keni treguar në garat dhe ushtrimet ndërkombëtare, për profesionalizmin mbresëlënës dhe për karakterin luftarak e human të pashoq”, ka shkruar Mehaj.