Mehaj pranon nga gjenerali amerikan flamurin e ShBA-së që ishte ngritur në kampin ‘Film City’

30 qershor 2021 | 16:03

Ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Armend Mehaj, ka pritur të mërkurën në një takim lamtumirës shefin e shtabit të KFOR-it, gjeneral brigadierin e ushtrisë amerikane në Kosovë, Larry L. Henry.

Me këtë rast, gjeneral Henry ia ka dorëzuar ministrit Mehaj, flamurin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili është ngritur në nderim të tij në Kampin e Shtabit të Përgjithshëm të KFOR-it në “Film City” në Prishtinë.

Ky flamur është i shoqëruar me përshkrimin: “Ndriçuar në errësirë nga drita e drejtësisë, ky flamur dëshmon për sakrificën dhe guximin e atyre burrave dhe grave që luftojnë forcat armike që kërcënojnë lirinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe botës”.

Në fund, përshkrimi përmbante edhe thënien e famshme të ish-presidentit të njohur amerikan, Ronald Reagan: “Nuk ka asnjë kufizim në sasinë e të mirës që mund të bësh nëse nuk të intereson kush e merr kredinë”.

Ministri Mehaj ka shprehur falënderimin dhe mirënjohjen më të lartë për kontributin e gjeneral Henryt gjatë shërbimit të tij, dhe për rolin e rëndësishëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me tërë përkrahjen e madhe e të shumanshme në shtetndërtimin e vendit, ruajtjen e sigurisë, si dhe mbështetjen me rolin e pazëvendësueshëm në zhvillimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së.

Gjatë këtij takimi është biseduar edhe për gjendjen aktuale të sigurisë në vend, që është prioritet i përbashkët i institucioneve të Republikës së Kosovës dhe KFOR-it si dhe trendin e zbatimit të Planit të tranzicionit të FSK-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Remzi Ejupi Vite më parë, kur Granit Xhaka veç…