Mehaj rikërkon anëtarësim e Kosovës në NATO
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka marrë pjesë në ceremoninë e transferimit të detyrës së drejtorit të Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT), nga gjeneral Jorg Ruter te gjenerali Joachim Hoppe.
Mehaj ka thënë se synimi i Kosovës është anëtarësimi në NATO, sepse sipas tij, Kosova ndanë vlerat e mendimet e njëjta demokratike me NATO-n, prandaj sipas tij, prioriteti i Kosovës është ngritja e kapaciteteve operacionale të FSK-së sipas standardeve të NATO-s.
Më tutje, Mehaj ka thënë se Ministria e Mbrojtjes dhe FSK-ja janë krijuar e zhvilluar përmes mbështetjes jetike të miqve, anëtarëve dhe partnerëve të Kosovës në NATO, e sipas tij, do të vazhdojnë të punojnë së bashku për t’i përmbushur synimet për t’u bërë pjesë e NATO-s.
“Krahas mbështetjes individuale të vendeve partnere të NATO-s që nga fillimi i punës në Ministrinë e Mbrojtjes, përkrahja përmes NATO-s dhe përmes ekipit ndërlidhës ka qenë e një rëndësie të veçantë”, ka thënë Mehaj, duke shtuar se objektivi i tij është që FSK-ja të jenë të ndërveprueshme me forcat e vendeve anëtare të NATO-s, por edhe me NATO-n kudo që kërkohet krahas partnerëve të Kosovës.
Ndërsa drejtori i ri i Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës i NATO-s, Joachim Hoppe, ka thënë se si drejtori ardhshëm nuk do të jetë vetëm, por do të jetë në mesin e grave dhe burrave që vijnë nga 16 kombe të ndryshme, të cilët sipas tij, janë thelbi i NALT-it.
Hoppe, ka thënë se për vitin e ardhshëm synimi mbetet i pandryshuar, t’i këshillojnë dhe në këtë mënyrë ta promovojnë zhvillim sa më të mirë të organizatave dhe institucioneve të sigurisë në Kosovë.
“Në futboll gjithçka ka të bëjë me ekipin, prandaj jam krenar që tani e tutje kam një vend të rregullt në këtë ekip të NATO-s”, ka thënë Hoppe.