Mehaj takohet me 25 ushtaret e reja të FSK-së, ja për çfarë biseduan
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka pritur të hënën në takim 25 ushtaret e reja të FSK-së, të cilave u ka uruar mirëseardhje dhe sukses në shërbimin e tyre në garantimin e paqes për të gjithë qytetarët e vendit, pa dallim.
Mehaj ka thënë se një ndër objektivat kryesore të tij, është rritja e përqindjes së vajzave dhe grave në FSK, duke theksuar se “forca duhet të reflektojë përbërjen e popullit sepse besojmë thellësisht se si burrat dhe gratë e duan atdheun dhe janë në gjendje të luftojnë e vdesin për të”.
Gjatë këtij takimi, ushtaret e reja kanë pasur rastin të përshkruajnë rrugëtimin e tyre që nga aplikimi dhe deri tek dita e dhënies së betimit si ushtare të FSK-së, duke e përshkruar atë si ditën më të lumtur të jetës së tyre dhe te familjarëve.
Ato kanë theksuar se duke parë se Ministria e Mbrojtjes dhe FSK-ja, si institucione me besueshmërinë më të lartë në vend, si dhe transparencën dhe objektivitetin gjatë proceseve të mëparshme të rekrutimit u kanë dhënë motiv të lartë për të aplikuar dhe për të realizuar ëndrrat e tyre për të veshur uniformën ushtarake, në shërbim të vendit dhe qytetarëve.
Në fund të këtij takimi, ministri Mehaj ka kërkuar nga ushtaret e reja të japin kontributin e tyre për të ftuar të rejat e vendit që të përgatiten për aplikimin në konkursin e ardhshëm që pritet të hapet më 28 nëntor të këtij viti.