Mehaj takon kryetarin e komitetit ushtarak të NATO-s, ja për çfarë biseduan
Gjatë punimeve të Forumit Ndërkombëtar të Sigurisë në Halifax, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj së bashku me zëvendëskomandantin e FSK-së, gjeneralmajor Enver Cikaqin kanë takuar kryetarin e Komitetit Ushtarak të NATO-s, admiralin Rob Bauer.
Me këtë rast, ministri Mehaj ka njoftuar admiralin Bauer për situatën e sigurisë në vend dhe rajon, duke theksuar mbështetjen e Republikës së Kosovës, si anëtare e Grupit të Kontaktit në Mbrojtje të Ukrainës, me qëndrimin për të në të drejtën e plotë për të mbrojtur territorin dhe popullin e saj.
Ndër të tjera, ministri Mehaj ka njoftuar se Republika e Kosovës ka ofruar ndihmën e saj në fushën e trajnimeve për Ukrainën në fushën e kërkimit shpëtimit, deminimit dhe në HAZMAT.
Në kuadër të ruajtjes së paqes dhe sigurisë në vend, ai ka njoftuar admiralin Bauer që jemi në koordinim të plotë me KFOR-in dhe partnerët tanë.
“Ne jemi duke ngritur kapacitet tona vazhdimisht, duke qenë të aftë jo vetëm ta mbrojmë vendin, por edhe të marrim pjesë në misione paqeruajtëse me partnerët tanë, kudo që kërkohet. Synimi ynë është anëtarësimi në NATO dhe BE. Të gjitha prokurimet tona realizohen me standarde të NATO-s dhe në bashkëpunim të ngushtë me NALT-in. Gjithashtu jemi duke vazhduar përgatitjet për ‘Defender 23’, ushtrimi më i madh fushor. Bashkëpunimi ynë do të jetë gjithmonë në nivelet më të larta”, ka thënë Mehaj.