Mehaj thotë se blerja e raketave “Javelin” kishte nisur para dy vjet e gjysmë

11 janar 2024 | 20:52

Ish-ministri i Mbrojtjes, Aremend Mehaj, ka bërë të ditur se investimi për blerjen e raketave “Javelin” kishte nisur tash e dy vjet e gjysmë më parë dhe ka arritur një progres të konsiderueshëm.

Mehaj ka komentuar lajmet e fundit për blerjen e raketave antitank “Javelin” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e përfshirë këtë si një pjesë të një nisme më të gjerë për t’i përmirësuar kapacitetet ushtarake të vendit.

Investimi, i cili përfshin jo vetëm raketat “Javelin”, por edhe dronët “Bajraktar” dhe shumë sisteme e kontingjente të tjera, sipas tij, ka qenë në qendër të strategjisë së forcimit të Ushtrisë së Kosovës.

“Ky investim për ushtrinë tonë ka nisur tash e dy vite e gjysmë më parë. Nën mandatin tonë, jo vetëm raketat ‘Javelin’ e dronët ‘Bajraktar’, por edhe shumë sisteme e kontingjentet të tjera janë blerë e janë në proces, e që konsideroj se duhet të mbesin pa u publikuar e në shërbim të interesit kombëtar. Siç edhe e kam thënë me herët, për mua ka qenë mision kryesor forcimi me armatim i ushtrisë së Kosovës, për çka jam krenar që nën mandatin tonë mbi 292 milionë euro i kemi shpenzuar në ketë drejtim”, ka shkruar ai në Facebook.

Mehaj ka thënë se kjo nismë është në linjë me synimin e tij për të bërë Ushtrinë e Kosovës një fuqi të respektuar dhe të aftë për t’i përmbushur detyrat e saj për mbrojtjen e vendit.

Sipas tij, investimi total në këtë drejtim ka arritur një shifër të impresionueshme prej mbi 292 milionë euro.

Mehaj është shprehur krenar për këtë përpjekje dhe ka shtuar se kjo është detyrë e trashëguar nga dëshmorët, martirët, invalidët dhe veteranët e luftës, të cilët kanë lënë amanetin e forcimit të mbrojtjes së vendit.

Ish-ministri gjithashtu ka shprehur synimin për anëtarësimin në aleancën e NATO-s, e quajtur pikësynimi i tyre kryesor.

“Një gjë dua t’ia konfirmoj popullit tim se siguria e jonë është më e fortë dhe më e mirë se sa duket në shikim të parë dhe shihet në publik. Armatosjen e ushtrisë dhe Kosovës e kemi amanet nga dëshmorët e kombit, martirët, invalidët dhe veteranët e luftës. Ushtria e Kosovës është nderi dhe krenaria e jonë”, ka shkruar tutje ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kompania Sony ka prezantuar makinën e saj të parë, dhe…