Mehaj thotë se shërbimi ushtarak është ëndërr e çdo qytetari të Kosovës
Shërbimi ushtarak i detyrueshëm është paralajmëruar shpeshherë nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Për këtë ka folur të martën ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, i cili në Komisionin për Punë të Jashtme ka thënë se kjo mund të bëhet pasi, sipas tij, interesimi i qytetarëve është i madh për të shërbyer në ushtrinë e Kosovës.
Ai ka thënë se shërbimi në FSK është ëndërr e çdo qytetari të Kosovës.
“Unë besoj se kjo është ëndërr e çdo qytetari të Kosovës, që ta kemi një ushtri të mirëfilltë dhe të jepet mundësia që çdo qytetar të shërbejë në ushtrinë e Kosovës”, ka thënë Mehaj.
Më tutje, ai ka treguar se janë në koordinim me shtetet aleate për të parë mundësinë se në çfarë faze Kosova mund të aplikojë shërbimin ushtarak të obligueshëm.
“Ne jemi në koordinim me partnerët e tjerë për të parë mundësinë se në çfarë faze mund të futet shërbimi ushtarak i obligueshëm në të ardhmen, por duhet të marrim edhe plane konkrete, siç janë shtetet baltike, të cilat kanë kaluar në të njëjtat faza dhe kërcënime siç është Rusia për ta dhe siç jemi ne (të kërcënuar) nga Serbia. Jemi në koordinim e sipër me këto, por e rëndësishme është që çdo veprim që ta marrim të jetë me koordinim me ShBA-në. Interesimi është i madh”, ka thënë Mehaj.
Ministri Mehaj ka treguar se nga 400 pozitat që kishin hapur në konkursin e kaluar të FSK-së kishin aplikuar mbi 6 000 qytetarë, ndërsa deri tani në konkursin, i cili vazhdon të jetë i hapur për 840 rekrutë, kanë aplikuar mbi 1 100 qytetarë, ku prej tyre 100 janë gra. Në këtë kontekst, Mehaj ka thënë se objektiva kryesore e tij është që të shtojë numrin e përfaqësimit të grave në FSK.