Mehmetaj flet pas paraqitjes në prokurori: Padinë e kam nga pushteti
Gazetari Lirim Mehmetaj është paraqitur të enjten në prokurori, pas kallëzimit penal që i është bërë, siç ka thënë ai nga pushteti për shkak të disa reagimeve që i kishte bërë ndaj një deklarate raciste të deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha.
Mehmetaj para mediave ka deklaruar se i ka ofruar ndihmë prokurores së rastit, Rukije Shasivari, duke i thënë se nëse ka presion nga dikush, mediet do të jenë në anën e saj.
“Unë nuk pata çfarë me deklaruar, as nuk mora avokat, sepse nuk e trajtoj proces të rregullt ligjor. Prokurores i ofrova ndihmë, i thash kushdo që ka bërë presion, ne jemi në anën tende dhe mundemi me ekspozuar atë lloj shantazhuesi që të ka detyruar dhe obliguar me përfshi vetën në këtë gabim, që mundet me kushtu edhe me karrierë, ulje page”, ka thënë ai.
Mehmetaj është pyetur se nga kush është paditur, dhe si përgjigje, ka dhënë emrin e deputetit Dimal Basha.
“Mu më ka bë kallëzim penal pushteti, përmes deputetit fashist Dimal Basha. Z. Basha, e ka bërë një pretendim që disa qytetari të një rajoni të Kosovës kanë mangu diçka nga disa qytetarë, ai ka nënkuptuar që qytetarët e Drenicës që vijnë në Prishtinë, duhet mos me pasë kërkesa të shtuara, qysh thotë ai, ‘po lypin me u nxe’”, ka thënë ai.
Mehmetaj është shprehur se është ekspozuar gjuha fashiste dhe për këtë, ai është akuzuar se “ka krijuar mosdurim dhe përçarje”.
“Prokurorja u shihke që është e shqetësume, që nuk është rehat. Tash mbase gjendet në një dilemë që nuk do ta kisha parë askënd”, ka thënë Mehmetaj.