Mehmetaj: Thaçi ka një vend të pazëvendësueshëm në historinë shqiptare
Gazetari Lirim Mehmetaj, ka bërë një përmbledhje të kontributit të Hashim Thaçit përgjatë historisë së Kosovës.
Mehmetaj ka shkruar në “Facebook” se historia shqiptare ka një vend të pazëvendësueshëm për Thaçin.
Postimi i plotë i Mehmetajt pa ndërhyrje:
Wesley K. Clark: “Sa vjeç je?”.
Hashim Thaçi: “29”.
Wesley K. Clark: “Pak a shumë sa djali im”.
Ky është dialog që tregohet nga gjenerali amerikan Clark në kujtimet e tij, duke shprehur fascinimin me udhëheqësin e ri e thatanik të shqiptarëve të Kosovës.
Qysh është e mundur me 29 vjet me udhëheqë ushtri çlirimtare, me kriju aleanca globale të tilla që nga të quajturit “grup terrorist” i njëjti perëndim të merr për aleat dhe të ndihmon të çlirohesh?
Qysh është e mundur qe me 29 vjet t’i prijsh një lëvizje që e bind botën perëndimore të dalë kundër rregullave të vetë-krijuara për mos ndërhyrje në sovranitetin e brendshëm të shteteve dhe të ndërmarrë aksion bombarduese?
Qysh është e mundur që nga një marrëveshje si ajo e Rambujesë që pothuajse e parashihte Kosovën brenda Serbisë, të avancohet drejt bindjes së perëndimit dhe veçanërisht Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të përkrahin shpalljen e pavarësisë?
Qysh është e mundur që përkundër se pavarësinë e shpallë njëanshëm të arrish njohje nga të gjitha shtetet demokratike dhe pothuajse shumica e shteteve të botës?
Qysh është e mundur që me një trohë buxhet të krijosh asi makinerie lobimi që të anëtarësosh shtetin e sapo krijuar në mbi 150 organizata ndërkombëtare?
Në rastin e Hashim Thaçit, pothuajse çdo veprim politik i tij nis me “qysh është e mundur…” dhe përfundon duke mos pas shpjegim e as përgjigje.
Prejse bota organizohet në shtete-kombe janë diçka më pak se 200 persona në histori të njerëzimit që në një moment kanë thënë “shpallim pavarësinë dhe sovranitetin…”.
Një prej tyre Hashim Thaçi.
S’ka diskutim se këtë nuk e ka bërë i vetëm dhe ka pasur shumë të tjerë që kanë dhënë kontributet e tyre, por Thaçit i ka rezervuar historia botërore një vend të veçantë, kurse historia shqiptare një të pazëvendësueshëm.
Urime 28 nëntori.