Mehmeti beson se Besa mund të kualifikohet
Portieri Mursel Mehmeti është kthyer me sukses te Besa Famgas. Ai të dielën bëri 11 pritje për kampionen e Kosovës, por që nuk ishin të mjaftueshme në ndeshjen ndaj skuadrës kroate, Sesvete.
Në Kroaci, Sesvete fitoi 31:23 ndaj Besa Famgas, në ndeshjen e parë të raundit të tretë të Kupës Evropiane. Ndeshja e kthimit luhet të dielën nga ora 19:00 në palestrën “Karagaçi” në Pejë.
Mehmeti beson fuqishëm se Besa ka forcë për ta kaluar Sesveten, ndonëse rezultati i ndeshjes së parë nuk është i favorshëm. Ai thotë se për sukses Besës i duhet përkrahja e shikuesve nga tribunat.
“Ndeshja në Kroaci ishte shumë e fortë. Mirëpo në fund nuk eci mirë për ne dhe kundërshtari e shfrytëzoj këtë duke e rritur epërsinë. Sa i përket ndeshjes në Pejë, tani e njohim më mirë kundërshtarin. Jemi mobilizuar dhe shpresojmë në fitore. Presim edhe përkrahje nga publiku, por çdo gjë ia lëmë fushës”, ka thënë Mehmeti.
Besës në Kroaci i kushtoi rënia e koncentrimit në momentet e fushës. Pasi barazoi rezultatin, pranoi dhjetë gola rresht dhe kështu Sesvete arriti te fitorja e lartë.
Shumë në ndeshjen e dytë do të varet edhe nga forma e treshes së portierëve. Pos Mehmetit, Besa në portë i ka edhe Arti Luzhën dhe Flakrim Beqirajn.
Besa Famgas në raundin e dytë të Kupës Evropiane e eliminoi Helsinkin.