Mehmeti: BQK-ja po përmbush standardet ndërkombëtare të rregullativës financiare

06 shtator 2018 | 12:44

“Dinamika me të cilën po zhvillohet rregullativa financiare ndërkombëtare kërkon resurse të konsiderueshme për t’u zbatuar nga bankat qendrore dhe kjo sigurisht se paraqet një sfidë të rëndësishme për bankat qendrore më të vogla, siç janë BQK-ja dhe bankat tjera të rajonit tonë”, ka deklaruar guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti në punëtorinë me temën “Ballkani Perëndimor: Reformat rregullatore bankare dhe zbatimi i tyre – sfidat përpara”, e organizuar bashkërisht nga BQK-ja dhe GIZ-i Gjerman.

Mehmeti ka theksuar se përmes organizimeve të tilla, BQK-ja do të jetë në gjendje që t’i bashkojë energjitë dhe përvojat në mënyrë që të jenë sa më efektiv në ndjekjen dhe zbatimin e standardeve më të mira ndërkombëtare.

“Për një sistem bankar të ri si Kosova, sigurisht që zbatimi i kërkesave të Basel III, IFRS 9 dhe zbatimi i procedurave të rregullta për likuidimin e bankave (Bank Resolution) ka qenë dhe është mjaft sfidues. Megjithatë, me përkrahjen e partnerëve tanë ndërkombëtarë kemi arritur progres të konsiderueshëm dhe sot rregullativa jonë financiare po arrin të mbështesë zhvillimin e qëndrueshëm të sistemit financiar të vendit”, ka deklaruar Mehmeti.

Ai ka shtuar se BQK-ja ashtu edhe si bankat tjera qendrore të rajonit, me kohë ka vendosur si prioritet shumë të rëndësishëm zbatimin e vazhdueshëm të standardeve më të mira ndërkombëtare në fushën e rregullativës financiare.

Mehmeti ka thënë se sektori bankar i Kosovës mbetet një ndër sektorët më të suksesshëm dhe me trend të vazhdueshëm të rritjes.

“Edhe gjatë vitit 2018 sektori bankar vazhdon të tregoj qëndrueshmëri të komponentëve përbërës të likuiditetit, profitabilitetit dhe kapitalit. Sipas të dhënave të fundit të muajit qershor 2018, vlera e gjithsej mjeteve të sektorit bankar arriti në 3.9 miliardë euro, derisa struktura e mjeteve vazhdoj të financohet kryesisht nga depozitat dhe të jetë e përqendruar në aktivitetin e kredidhënies. Vlera e përgjithshme e kredive të sektorit bankar në qershor 2018 ishte rreth 2.7 miliardë euro, e cila paraqet një rritje vjetore prej 11.3 për qind. Treguesi i kredive joperformuese u zvogëlua në 2.8 për qind në fund të muajit qershor nga 3.9 për qind sa ishte në periudhën e njëjtë të vitit paraprak, gjë që tregon për një afarizëm mjaft të shëndoshë të bankave që operojnë në vendin tonë. Gjithsej depozitat evidentojnë rreth 3.1 miliardë euro, ndërsa gjendja e likuiditetit të sektorit bankar vazhdon të jetë e qëndrueshme. Raporti i mjeteve likuide ndaj detyrimeve me afat të mbetur deri në një vit përllogaritet 33.2 për qind, i cili evidentohet lart mbi kërkesën rregullative prej 25.0 për qind. Sektori bankar vazhdon të jetë mirë i kapitalizuar. Treguesi i kapitalit të bazuar në rrezik në muajin qershor 2018 ishte 17.4 për qind, që është lart mbi kërkesën rregullative të BQK-së prej 12.0 për qind”, ka thënë Mehmeti.

Të pranishmit e shumtë nga vendi dhe nga rajoni, kanë marrë informatat e fundit për kuadrin rregullator ndërkombëtar për bankat që njihet si Bazel 3 dhe ndryshimeve në të ardhmen e këtij kuadri.

Gjithashtu, janë diskutuar edhe sfidat e bankave të Ballkanit Perëndimor për të realizuar reformat dhe zbatimin e rregullativave, si dhe Direktivat e BE-së për sektorin bankar.

Në këtë punëtori, e cila do të vazhdojë punimet edhe të premten do të prezantojnë edhe zyrtarë të Bankës Qendrore Evropiane, Fondit Monetar Ndërkombëtar, BAFIN, Deutsche Bundesbank dhe disa bankave të vendeve tjera anëtare të BE-së.

/Epoka e re/ 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sonte nga ora 20:45 në “Allianz Arena” zhvillohet ndeshja e…