Mehmeti: Edhe pse pandemi, sistemi financiar vazhdon të jetë i qëndrueshëm
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka vlerësuar se paratë e mërgatës kanë zbutur vështirësitë ekonomike në vend pas pandemisë Covid-19.
Mehmeti ka bërë me dije se BQK-ja është në proces të liberalizimit të tregut bankar dhe të sigurimeve në përpjekje për rritjen e konkurrencës dhe për stabilitet.
Sa i përket gjendjes aktuale financiare, marrë parasysh situatën me pandeminë, ai ka thënë se sistemi financiar në Kosovë jo vetëm që ka arritur të përballojë rreziqet që kanë rrjedhur prej kësaj krize të shkaktuar nga pandemia, por njëkohësisht ka pasur rolin kyç në rimëkëmbjen ekonomike në vend.
“Nëse fokusohemi te sektori bankar si komponentë kryesore e sistemit financiar, shohim se ky sektor përkundër rreziqeve të shkaktuara nga pandemia, ka arritur që ta kreditojë ekonominë e vendit. Deri në korrik të vitit 2021 vetëm kreditë e reja janë shuar 974 milionë euro dhe njëkohësisht ka bërë që të kemi një rritje të kreditimit 12 për qind në baza vjetore, që në total vlera e kredive ka arritur në 1.5 miliard euro. Po ashtu, asetet në sektorin bankar kanë arritur 5.6 miliardë euro, pra kanë shënuar rritje vjetore prej 15 për qind”, ka thënë Mehmeti për TV21.
Guvernatori i BQK-së ka thënë se besueshmëria e publikut vazhdon të jetë e lartë në sektorin bankar dhe pikërisht kjo ka ndikuar të shënojnë rritje depozitat, një rritje afër 15 për qind, dhe norma e interesit gjatë kësaj periudhe ka rënë në 6.0 për qind.
Mehmeti ka theksuar se bankat janë likuide dhe mirë të kapitalizuara, ku raporti i likuiditetit shënon 16.3 për qind, që, sipas tij, është normë mbi minimumin e kërkuar rregullativ.