Mehmeti i AKR-së, kërkon votën e Gollakut: Gjatë mandatit të ardhshëm, rajoni i Gollakut do të ketë infrastrukturën e mbyllur
Kandidati i Aleancës Kosova e Re (AKR) për kryetar të Prishtinës, Gëzim Mehmeti, i’u ka premtuar banorëve të fshatrave të Gollakut se ka vizionin e qartë për zhvillimin e kësaj pjese të kryeqytetit.
Në kuadër të fushatës zgjedhore, Mehmeti i shoqëruar nga nënkryetari i komunës së Prishtinës, Selim Pacolli, vizituan fshatin Dabishec, ku u zotuan se deri në përfundim të mandatit të ardhshëm, rajoni i Gollakut do të ketë infrastrukturën e mbyllur.
“Nuk mundet me jetu Prishtina pa Gollakun, 60 përqind e popullatës së Prishtinës janë prej fshatrave të Gollakut. Na jemi shpirti dhe zemra e Prishtinës, kush don, kush s’don është realiteti, Gollaku është zemra e Prishtinës. Nëse nuk orientohemi në këto vatra nuk ka zhvillim Prishtina[…]Unë kam vizion të qartë, dy gjëra që identifikohemi në program kanë të bëjnë me pjesën e Gollakut. Ka të bëjë me bujqësinë që do të ngrit buxhetin prej 1.5 sa e kemi në 6 milionë, po ashtu Kosova do të ketë institutin e bletarisë që do të vendoset në Gollak”, tha ai.
Mehmeti para banorëve tha se përgjatë katër vjetëve në qeverisje kanë bërë më shume se të tjerët për 17 vjet në zonën e Gollakut.
“Jemi shumë të lumtur që disa punë i kemi bërë dhe pa modesti e them që kemi bërë shumë më shumë se sa kanë bërë në 17 vjet që janë kanë para neve. Këtë e dëshmojnë veprat, punët dhe infrastruktura. Gjatë studimit të kësaj pjese për neve ka qenë me rëndësi që m’i lidh fshatrat me fshatra dhe lagjet me lagje, me lidh një pjesë të Gollakut me pjesën tjetër. Atë e kemi arritur, tash është duke u përfunduar edhe rruga Stallovë- Zllashë, kjo është me rëndësi se juve diku 13 kilometra ka me iu zvogëluar rruga po kursehet. Po kursehet shpenzimet, koha dhe kjo është ajo që kemi arritur”, tha ai.
Ndërsa, kryetari i degës së AKR-së në Prishtinë, njëherësh, nënkryetari aktual i komunës së Prishtinës, Selim Pacolli tha se janë mbi 913 projekte që kanë përfunduar gjatë katër vjetëve, nën menaxhimin e Mehmetit si drejtor i infrastrukturës në kryeqytet.
“Nuk është Gollaku diçka e pa qasshme, e pa arritshme dhe larg prej Prishtinës, ne kemi shtyrë projekte në këtë anë, konfrom tatimeve dhe kontributeve të cilët qytetarët i bëjnë atje. Edhe ky i Hajgobillës, Dabishecit, Prapashticës e ren fshatrat që janë në këtë zonë paguajnë taksa dhe kontribute çdo ditë. Kjo do të thotë se taksat janë paguar dhe ne i kemi kthyer në infrastrukturë, ne nuk kemi bërë shkelje të askujt”, tha ai.
Në këtë tubim elektoral u kërkua vota edhe për tre asamblistë të AKR-së në rajonin e Gollakut.