Mehmeti mori pjesë në Forumin e Evropës Qendrore dhe Lindore 2018, të organizuar nga “EuroMoney Center”
Më 16 dhe 17 janar 2018, një delegacion i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), i udhëhequr nga U.D i Guvernatorit të BQK-së, Fehmi Mehmeti mori pjesë në Forumin e Evropës Qendrore dhe Lindore, i organizuar nga “EuroMoney Center”, në të cilën morën pjesë guvernatorë, ministra të financave dhe përfaqësues të institucioneve financiare.
Në konferencë u diskutuan tema të ndryshme, nga përfaqësues të shteteve të ndryshme, si: menaxhimi i borxhit publik në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, kreditë joperformuese: mundësitë dhe rreziqet për sektorin bankar, mobilizimi financiar për rritje të mëtejme, diskutime lidhur me politikën monetare nga bankat qendrore, si dhe shumë tema të tjera të rëndësishme.
“Gjatë konferencës, U.D i Guvernatorit z. Fehmi Mehmeti zhvilloi takime me anëtarë të Bordit të Bankës Kombëtare Tregtare të Turqisë, ku kanë diskutuar lidhur me planet e BKT-së dhe BQK-së për zhvillimin e sektorit bankar në Kosovë. Gjithashtu, U.D i Guvernatorit u takua me Drejtorin Menaxhues të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) z. Nick Tesseyman, të cilin e informoi lidhur me zhvillimet e fundit dhe të arriturat në sektorin financiar në Kosovë, e në veçanti për zhvillimet në sektorin bankar. Z. Tesseyman përgëzoi z. Mehmeti për të arriturat e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës dhe njëkohësisht për performancën e shkëlqyer të sektorit bankar. Në takim gjithashtu u diskutua për mundësitë e përkrahjes së mëtejme të BERZH-it për Kosovën, e veçanërisht në rritjen e shkallës së ndërmjetësimit financiar dhe në fusha të tjera me interes për zhvillim të sistemit financiar. U.D i Guvernatorit, gjatë kësaj vizite u takua edhe me z. Peter Lennkh, anëtar i Bordit të “Raiffeisen Bank International”, thuhet në njoftimin e BQK-së.
Sipas BQK-së, në takim u diskutua lidhur me zhvillimet e fundit në sektorin bankar në Kosovë dhe planet e RBKO-së dhe BQK-së për zhvillimin e sektorit bankar në Kosovë.