Mehmeti: Rënia ekonomike për vitin 2020 pritet të jetë 7.2 për qind
Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës Fehmi Mehmeti në konferencën e fundvitit me gazetarë, ka thënë se me gjithë vështirësitë me të cilat është ballafaquar vendi, BQK-ja ka arritur edhe të zbatojë objektivat e saj, duke siguruar një sistem financiar të qëndrueshëm, i cili jo vetëm se arriti të përballojë zhvillimet e pafavorshme ekonomike në vend.
Mehemti ka deklaruar se sipas parashikimeve të BQK-së, ekonomia e Kosovës në vitin 2020 pritet të shënojë një rënie prej 7.2 përqind në terma real, e cila paraqet goditjen më të rëndë që ka pësuar ekonomia në këto 20 vite.
“Ndikim të rëndësishëm në rënien e aktivitetit ekonomik në Kosovë kishin edhe masat e kufizimit të lëvizjes nga shtetet tjera, ku nga të dhënat e regjistruara deri në shtator 2020, shpenzimet e jorezidentëve në Kosovë, pjesa më e madhe e të cilave janë nga diaspora, ishin 470 milionë euro, e cila paraqet një rënie prej rreth 60 përqind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar”, u shpreh ai.
Ai tutje ka folur dhe për rolin e sistemit bankar në mbështetje të sektorit privat.
“Kontributi i sektorit bankar në mbështetje të ekonomisë ishte shumë i rëndësishëm edhe në aspektin e vazhdimit të kreditimit, përkundër ngritjes së nivelit të rreziqeve me të cilat u ballafaquan bankat. Gjatë periudhës janar – tetor 2020, vlera e kredive të reja të lëshuara nga sektori bankar ishte 1.2 miliardë euro, përderisa vlera e përgjithshme e kredive aktive në sektorin bankar në tetor 2020 ishte 3.2 miliardë euro, e cila paraqet një rritje vjetore prej 7 përqind. Aktualisht, edhe pas ndërmarrjes së gjithë këtyre masave jo shumë të zakonshme për një sektor bankar dhe me një ekonomi e cila gjendet në një fazë recesioni, sektori bankar i Kosovës vazhdon të ketë nivel të lartë të qëndrueshmërisë dhe është i gatshëm të ushtrojë rolin e tij kyç në procesin e rimëkëmbjes ekonomike. Pakoja e rimëkëmbjes ekonomike e sapo aprovuar nga Kuvendi i Kosovës parasheh një rol shumë të rëndësishëm për sektorin bankar. Një pjesë shumë e rëndësishme e kësaj pakoje bazohet në skemat e garantimit të kredive dhe subvencionimit të normave të interesit, të cilat do ta lehtësojnë dhe përmirësojnë rrjedhën e financimit bankar drejt ekonomisë së vendit. Gjithsej mjetet e sektorit bankar kanë vazhduar trendin e rritjes edhe gjatë këtij viti, duke arritur vlerën prej 5.05 miliardë euro në tetor 2020, e cila paraqet një rritje vjetore prej 10.3 përqind”, ka thënë Mehemti, duke shtuar se sektori bankar vazhdon të gëzojë besim të lartë tek publiku, besim ky i shprehur edhe me rritjen e vazhdueshme të depozitave. “Në muajin tetor 2020, vlera e përgjithshme e depozitave ishte rreth 4.1 miliardë euro, që paraqet një rritje vjetore prej 8.7 përqind. Ritmi i rritjes së gjithsej depozitave diktohet kryesisht nga depozitat e ekonomive familjare, kategori që dominon strukturën e gjithsej depozitave në sektorin bankar me pjesëmarrje prej 67 përqind në totalin e depozitave, e të cilat në vitin 2020 shënuan rritje prej 7.3 përqind. Normat e interesit në kredi vazhduan trendin rënës, duke zbritur në 6.3 përqind nga 6.5 përqind sa ishin në periudhën e njëjtë të periudhës së kaluar, gjë që tregon për lehtësim të vazhdueshëm të qasjes në financim bankar”, u shpreh Mehmeti.
Ai bëri të ditur se norma e kredive joperformuese shënoi një rritje të lehtë prej vetëm 2.7 për qind në tetor 2020, në krahasim me vitin e kaluar kur ishte 2.2 për qind, por mbulueshmëria e kredive joperformuese me provizione për humbje nga kreditë mbetet në nivele të larta prej 140 për qind, që dëshmon për nivele adekuate të provizioneve në sektorin bankar.
“Sektori bankar vazhdon të ketë tregues të lartë të mjaftueshmërisë së kapitalit prej 16.9 për qind në tetor 2020, krahasuar me 16.5 për qind në vitin paraprak, i cili vazhdon të mbetet dukshëm mbi nivelin minimal rregullativ prej 12.0 për qind. Me qëllim të mbajtjes së niveleve të shëndosha të kapitalit brenda sistemit bankar dhe për të mbështetur ekonominë e Kosovës nëpërmjet kreditimit, BQK-ja ka marrë vendim për të pezulluar shpërndarjen e dividentës nga ana e bankave për vitin 2019 dhe 2020”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, përveç sektorit bankar, rol të rëndësishëm në financimin kreditor të ekonomisë së Kosovës kanë edhe institucionet mikrofinanciare dhe ato financiare jobankare, të cilat kryesisht fokusohen në ofrimin e mikrokredive. “Vlera e përgjithshme e kredive të këtij sektori në tetor 2020 ishte 220 milionë euro që paraqet një rritje vjetore prej 1.4 përqind. Në sektorin e sigurimeve, deri në shtator 2020, u regjistrua një rënie e lehtë e aktivitetit. Primet e shkruara bruto deri në muajin shtator 2020 ishin 72.3 milionë euro, që paraqet një rënie prej 2.2 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Dëmet e paguara nga sektori i sigurimeve gjatë kësaj periudhe shënuan vlerën prej 35 milionë euro, me një rritje të lehtë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kur ishin 34.5 milionë euro. Gjithsej mjetet e sektorit të sigurimeve kanë vazhduar trendin e rritjes edhe gjatë këtij viti, duke arritur shumën prej 214.3 milionë euro në shtator 2020, me një rritje vjetore prej 9.3 për qind”, u shpreh Mehemti.
Ai foli edhe për rolin e diasporës në këtë pande dhe rritjen e remitancave. “Vlera e remitencave të pranuara deri në tetor 2020 ishte 796.5 milionë euro, që paraqet një rritje vjetore prej 12.9 për qind.
Për sa i përket investimeve të huaja direkte, vlera e tyre deri në shtator 2020 arriti në 250.6 milionë euro, në krahasim me vlerën prej 216.4 milionë euro të regjistruar deri në shtator 2019”, u shpreh ai.
Në fund të konferencës u shpërndanë edhe çmimet për “Ekonomistin e ri”, ku Qendrim Shkodra e ka fituar vendin e parë, një vlerësim vjetor për shkrimet më të mira për sektorin financiar në vend.