Mehmeti: Rritja ekonomike këtë vit mbi 3%, deri në tetor diaspora dërgoi 1 miliard euro remitenca
Ekonomia e Kosovës e filloi vitin 2022 me një perspektivë mjaft të mirë, duke qenë se po linim pas një vit mjaft të suksesshëm, ku sipas vlerësimeve të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, norma reale e rritjes së Bruto Produktit Vendor në vitin 2021 ishte 10.75 për qind.
Megjithatë, gjatë vitit 2022, ndryshimi i dinamikave globale si pasojë e luftës në Ukrainë, që u shoqëruan me rritje të inflacionit, ndryshim të politikave monetare dhe rritje të normave të interesit dhe ngadalësim të rritjes së tregtisë botërore si rezultat 1 ndërprerjeve të zinxhirit të furnizimit, u reflektua edhe në aktivitetin ekonomik në Kosovë, kështu tha Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti, në konferencën e fundvitit.
I pari i BQK-së tha se sipas vlerësimeve të BQK-së, BPV-ja në 2022 pritet të shënoj rritje të ngadalësuar prej 3 deri në 4 për qind, kryesisht për shkak të tkurrjes së kërkesës së brendshme dhe rritjes së importit, ndërsa eksportet kanë ndikuar pozitivisht.
“Bazuar në të dhënat e regjistruara deri me shtator të këtij viti, shpenzimet e jo-rezidentëve në Kosovë, pjesa më e madhe e të cilave janë nga diaspora, ishin në shumë prej 1.48 miliardë euro, e cila paraqet një rritje prej 26.1 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar”, tha Mehmeti transmeton RTKlive .
Po ashtu, sipas tij, viti 2022 shënoi një ritëm më të shpejtë të rritjes edhe për remitencat e dërguara nga diaspora në Kosovë dhe se vlera e tyre të pranuara deri në fund të muajit tetor 2022 është 1 miliardë euro, që paraqet rritje vjetore prej 5.5 për qind.
“Rritja e kërkesës së brendshme në Kosovë gjatë këtij viti u reflektua në një vlerë më të lartë të importit të mallrave, i cili deri në shtator 2022 shënoi vlerën 4.15 miliardë euro apo një rritje vjetore prej 24.6 për qind. Në anën tjetër, eksporti i mallrave shënoi vlerën prej 688.0 milionë euro, duke shënuar rritje vjetore prej 27.1 për qind. Si rrjedhojë e këtyre zhvillimeve, deficiti tregtar në llogarinë e mallrave deri në muajin shtator 2022 regjistroi vlerën prej 3.47 miliardë euro, që paraqet një rritje vjetore prej 24.2 për qind”, tha i pari i BQK-së, në konferencën e fundvitit.
Në anën tjetër, po sipas Mehmetit, eksporti i shërbimeve deri në shtator 2022 shënoi vlerën prej 2.05 miliardë euro, duke shënuar një rritje vjetore prej 32.8 për qind, që ka ndodhur kryesisht si rezultat i rritjes së vizitave të bashkatdhetarëve tanë dhe turistëve në vend.
“Me rritje u karakterizua edhe importi i shërbimeve që deri më shtator 2022 regjistroi vlerën prej 901 milionë euro. Pra gjithsej importet e mallrave dhe shërbimeve deri në muajin shtator të këtij viti janë në shumë prej $5.05 miliardë euro, ndërsa eksportet e mallrave dhe shërbimeve janë në shumë rreth 2.7 miliardë euro”, tha Mehmeti.
Gjithashtu, Mehmeti tha se sa i përket investimeve të huaja direkt, vlera e tyre deri në shtator 2022 arriti në 567 milionë euro, në krahasim me vlerën prej 395 milionë euro të regjistruar deri në shtator 2021. Gjatë kësaj periudhe, rritje të lartë shënuan IHD-të tek investimet në patundshmëri, të cilat shënuan vlerën prej 394 milionë euro, në krahasim me vlerën prej 265 milionë euro të regjistruar deri në fund të shtatorit 2021, apo shprehur në përqindje, kemi një rritje prej 48.7 për qind.
“Për sa i përket treguesve tjerë makroekonomikë, vlen të theksohet se mesatarja e inflacionit deri në nëntor 2022 shënoi normën prej 11.5 për qind në krahasim me mesataren vjetore prej 3.4 për qind për vitin 2021. Ndërsa, norma e inflacionit vetëm për muajin nëntor 2021 ishte 11.5 për qind, gjë që tregon se po ballafaqohemi me një trend në rritje të nivelit të përgjithshëm të çmimeve. Rritja e normës së inflacionit në Kosovë kryesisht reflekton rritjen e çmimeve në tregjet ndërkombëtare, të cilat në Kosovë transmetohen përmes rritjes së çmimeve të mallrave të importuara”, tha Mehmeti transmeton RTKlive.
Sa i përket sistemit financiar, ai tha se, është shumë e rëndësishme të theksohet se Kosova ka arritur të ndërtojë një sistem financiar të shëndoshë, i cili jo vetëm se u dëshmua i aftë të përballojë krizat e shkaktuara nga pandemia dhe agresioni rus në Ukrainë, por edhe të merr një rol shumë të rëndësishëm në mbështetjen e ekonomisë për ta përballuar krizën me pasoja sa më të vogla që ishte € mundur. Gjithsej mjetet e sistemit financiar, me 30 tetor 2022 ishin në vlerë prej 9.43 miliardë euro, me një rritje vjetore prej 10.2 për qind.