Mehmeti: Sektori bankar, kontribuues në rritjen ekonomike të vendit
Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka thënë në konferencën vjetore të bankave se sektori bankar i Kosovës, në vitet e fundit ka rritur në masë të konsiderueshme rolin e tij në financimin e rritjes ekonomike në vend.
Sipas tij, ky zhvillim pozitiv ka sjell përmirësime të vazhdueshme në qasjen në financa, e cila për një kohë të gjatë është raportuar nga bizneset si njëra ndër barrierat kryesore për zhvillimin e afarizmit të tyre.
“Standardet më të lehtësuara kreditore dhe zvogëlimi i normave të interesit në kredi kanë shërbyer si stimuj të rëndësishëm për rritjen e kërkesës për kredi, duke rezultuar në një rritje vjetore të kredive prej 11.6 për qind në muajin tetor të këtij viti. Në tetor 2018, norma mesatare e interesit në kredi ishte 6.6 për qind, që paraqet një përmirësim shumë të madh në krahasim me një periudhë jo shumë të largët, kurse norma e kredive joperformuese ishte 2.8 për qind, gjë që pasqyron një gjendje shumë të mirë të cilësisë së portofolit kreditor. Këta tregues tregojnë se oferta për kredi është përmirësuar në masë të konsiderueshme. Vëmendje të veçantë dëshiroj t’i kushtoj cilësisë shumë të mirë të portofolit kreditor, e cila flet për menaxhim të mirë të rrezikut kreditor nga bankat, por lirisht mund të shërbejë edhe si një indikator i rëndësishëm i ambientit të favorshëm ekonomik për operimin e bankave në Kosovë”, ka deklaruar guvernatori Mehmeti.
Në fjalimin para të pranishmëve, guvernatori Mehmeti ka thënë se zhvillim i rëndësishëm në sektorin bankar është edhe përmirësimi në qasjen ne financa, sidomos në sektorin e bujqësisë dhe sektorin e prodhimit, të cilët në vitin e fundit ka qenë ndër sektorët me rritjen më të lartë të kredive të pranuara.
Mehmeti ka thënë se Banka Qendrore e Republikës së Kosovës me të gjitha kapacitetet e saj është në funksion të mbështetjes së zhvillimit të qëndrueshëm të sistemit financiar.
Sipas tij, në vitet e fundit, BQK-ja ka rritur angazhimin e saj edhe në funksion të mbrojtjes së të drejtave të konsumatorëve të shërbimeve financiare, duke i shërbyer kështu në mënyrë të drejtpërdrejtë mbrojtjes së interesit të publikut.
“BQK-ja, që nga fillimi i funksionimit të saj, gjithmonë ka qenë dhe është në mbështetje të plotë të zhvillimit të sistemit financiar, por dëshiroj të theksoj se ne jemi të përkushtuar që të sigurohemi se zhvillimi i institucioneve financiare të bëhet në përputhje të plotë me parimet e mbrojtjes së të drejtave të konsumatorëve. Në këtë aspekt, ne jemi të vendosur që të rritim edhe më tutje angazhimin tonë në mbrojtje të të drejtave të shfrytëzuesve të shërbimeve financiare dhe kërkoj nga bankat që të shqyrtojnë me kujdes kërkesat ligjore dhe politikat e tyre për të shmangur çdo pengesë të paarsyeshme, e cila vështirëson ndërveprimin normal ndërmjet qytetarëve dhe sektorit bankar”, ka thënë ai.
Mehmeti ka thënë se BQK-ja do të vazhdojë të mbështesë të gjitha aspektet e zhvillimit të sektorit bankar, duke ofruar gjithë infrastrukturën e nevojshme si financiare ashtu edhe rregullatore.
Në panelin e diskutimit me titull “Financimi i zhvillimit: Bankat për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik të Kosovë”, zëvendësguvernatori i BQK-së, Sokol Havolli ka folur rreth mundësive të ndërlidhjes së sektorit bankar me ekonominë me qëllim të fuqizimit të rritjes ekonomike.
/Epoka e re/