Mehmeti: Sektori financiar po vazhdon me performancë pozitive
Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti ka falënderuar Fondin Monetar Ndërkombëtar për përkrahjen e vazhdueshme që i ka dhënë Kosovës dhe në veçanti BQK-së në realizimin e objektivit së saj primar, mbrojtjen dhe ruajtjen e stabilitetit financiar.
Në konferencën përmbyllëse të ekipit të misionit të FMN-së për Kosovën, Guvernatori Mehmeti ka dekaluar se sektori financiar po vazhdon me performancë pozitive.
“Sektori financiar vazhdon të ketë rritje të vazhdueshme dhe në këtë kontekst, nëse shohim sektorin bankar, ka shënuar rritje në të gjithë treguesit financiar, si në rritjen në kredi ku rritja në bazë vjetore është 12%, në depozita 6%, poashtu edhe në asete 6%. Në kontekstin rregullativ, treguesit e mjaftueshmërisë së kapitalit shënojnë rritje në 16.1%, që është mbi minimumin e kërkuar rregullativ. Gjithashtu, raporti i likuiditetit prej 33% është mbi minimumin e kërkuar rregullativ prej 25%. Këto të dhëna tregojnë se bankat janë mirë të kapitalizuara dhe likuide. Po ashtu zhvillime pozitive kemi edhe në normën e interesit, ku norma e interesit për bizneset dhe ekonomitë familjare është 6,3%, ndërsa nëse e shohim normën e interesit vetëm për biznese është 5.35%, përderisa norma e interesit për kreditë hipotekare sillet prej 4% deri në 5%. Kjo tregon për lehtësimet që janë bërë në qasjen në financa dhe njëkohësisht të kemi edhe rritje të shkallës së ndërmjetësimit financiar”, ka deklaruar Mehmeti, duke shtuar se zhvillime pozitive kemi edhe në sektorë të tjerë, siç janë sigurimet, pensionet, institicionet mikrofinanciare dhe institucionet financiare jobankare. “Edhe në takimet që i kemi pasur në vazhdimësi me Fondin Monetar Ndërkombëtar është vlerësuar lartë stabiliteti financiar dhe qëndrueshmëria financiare në Kosovë. Banka Qendrore e Republikës së Kosovës është e sigurt se do të kemi përkrahje të vazhdueshme nga FMN-ja dhe jemi të sigurt se do të vazhdojmë bashkëpunimin e suksesshëm mes BQK-së dhe FMN-së”, ka deklaruar Guvernatori Mehmeti.