Mehmeti: Sektori financiar po vazhdon të luajë rol të rëndësishëm në rritjen ekonomike
Ka vazhduar punimet Sesioni i parë në kuadër të Konferencës ndërkombëtare të nivelit të lartë e organizuar nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), Prishtinë, me temën ”Rreziqet dhe Mundësitë në një Sektor Financiar Dinamik-Perspektiva Zhvillimore”.
Me këtë rast, përfaqësues të lartë të Bankave Qendrore, Autoriteteve Mbikëqyrëse dhe të Institucioneve Financiare Ndërkombëtare (IFN-ve), në cilësinë e panelistëve dhe pjesëmarrësve kanë shkëmbyer përvojat e tyre gjatë diskutimeve, që ndërlidhen me sfidat dhe perspektivat e zhvillimit të qëndrueshëm të sektorit financiar në gjithë rajonin dhe më gjerë.
Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka deklaruar se sektori financiar po vazhdon të luajë rol të rëndësishëm në rritjen ekonomike pas krizës.
Ai tutje ka thënë se bankat qendrore duhet edhe më tutje të rrisin bashkëpunimin për të tejkaluar më lehtë së bashku të gjitha sfidat që u dalin përpara.
Nga ana tjetër, Gabriell Dibella, shef i Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, ka folur në lidhje me marrëdhënien e rritjes dhe financave në përgjithësi, përfshirë edhe perspektivën rajonale.
/Epoka e re/