Mehmeti: Sigurimet me performancë pozitive
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti, ka kërkuar nga institucionet kompetente që të shqyrtohet tatimi në qarkullim prej 5 për qind për industrinë e sigurimeve
Kompanitë e sigurimeve janë të vetmet biznese që për vite me radhë paguajnë tatim në qarkullim prej 5 për qind, apo tatimin bruto në primin e shkruar, tatim ky që nuk i ngarkon edhe korporatat tjera në vend. Për këtë shkak guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka kërkuar që kjo çështje të shqyrtohet nga institucionet kompetente në vend. “BQK-ja është angazhuar dhe ka kërkuar që kjo çështje të shqyrtohet nga institucionet kompetente. Sipas dijenisë tonë, Ligji për tatimin në të ardhurat e korporatave, i cili është në proces të amandamentimit ka përfshirë edhe çështjen e tatimit të siguruesve, të cilat pritet të tatohen në të njëjtën mënyrë sikurse të gjithë sektorët e tjerë”, ka deklaruar Mehmeti.
Sipas tij, sektori i sigurimeve në Kosovë ndër vite nuk ka pasur performancë të kënaqshme, por, siç thotë ai, në një performancë të tillë ka ndikuar edhe çështja e tatimit në qarkullim prej 5 për qind, si dhe dëmet e shkaktuara nga automjetet e pasiguruara që qarkullojnë në rrugët e Kosovës. Megjithatë, sipas Mehmetit, gjatë dy viteve të fundit ka përmirësim të dukshëm të performancës së sektorit të sigurimeve, i cili po gjeneron fitime. “Sikurse jeni në dijeni, sektori i sigurimeve ndër vite nuk ka pasur performancë të kënaqshme. Përpos tjerash, një performancë e tillë është ndikuar nga disa faktorë, prej të cilëve do të përmendja tatimin në bruto primin e shkruar (apo tatimin në qarkullim) prej 5%, si dhe dëmet e shkaktuara nga automjetet e pasiguruara, që qarkullojnë në territorin e Republikës së Kosovës. Marrë parasysh këtë, rezultatet financiare të kompanive të sigurimit gjatë viteve të kaluara kanë qenë negative. Megjithatë, gjatë dy viteve të fundit kemi përmirësim të dukshëm të performancës së sektorit të sigurimeve, si rezultat edhe i masave mbikëqyrëse dhe legjislative që i ka ndërmarrë BQK-ja”, ka deklaruar Mehmeti, thuhet në njoftimin e Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës.
Duke ju referuar këtij njoftimi, sektori i sigurimeve gjatë viteve të kaluara ka operuar me humbje. “Megjithatë, gjatë vitit të kaluar 2017, performanca e sektorit të sigurimeve ka pasur një përmirësim të rëndësishëm. Fitimet e realizuara nga sektori i sigurimeve gjatë vitit 2017 ishin në shumë prej 6.4 milionë euro, derisa deri në tremujorin e dytë të vitit 2018 fitimet e sektorit të sigurimeve janë 800 mijë euro. Pra, përkundër disa faktorëve jo të favorshëm, si: tatimi në qarkullim dhe makinat e pasiguruara, është arritur që nga rezultati financiar negativ, të ketë performancë të kënaqshme me rezultat financiar pozitiv”, ka thënë i pari i BQK-së, Fehmi Mehmeti.
Sipas këtij njoftimi, sektori i sigurimeve në Kosovë gjatë vitit 2017 ka realizuar fitime 6.4 milionë euro. Ndërkaq, 800.000 euro janë fitimet nga industria e sigurimeve, të realizuara në tre mujorin e dytë të vitit 2018.