BQK-ja dhe policia koordinohen për bashkëpunim
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti, i shoqëruar edhe nga zëvendësguvernatori për Mbikëqyrje Financiare, Sokol Havolli ka pritur në takim drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti.
Në këtë takim është diskutuar për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm mes dy institucioneve me qëllim të luftimit dhe parandalimit të dukurive negative.
Me këtë rast, guvernatori Mehmeti ka njoftuar drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës me zhvillimet e fundit në sektorin financiar dhe masat që janë ndërmarrë në ruajtjen e stabiliteti financiar.
Nga ana tjetër, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, ka falënderuar guvernatorin e BQK-së për bashkëpunimin e deritashëm, njëkohësisht shprehu gatishmërinë dhe përkrahjen për vazhdimin e bashkëpunimit të ndërsjellë.
Të dyja institucionet shprehën përkushtimin për intensifikim të punës ndërinstitucionale me qëllim që të reduktohet numri i automjeteve të paregjistruara dhe pasiguruara, si kriter për procedurat e mëtejme për çështjen e kartonit të gjelbër.