Mehmeti thotë se një kompani e huaj mund ta rishikojë çmimin e sigurimeve
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti, ka thënë sot se kanë lënë edhe një opsion rreth çmimit të tarifave për sigurimin e automjeteve.
“Jemi dakord që të rishikohet çmimi, mund të vendos ndonjë kompani ndërkombëtare”, është shprehur ai në një konferencë për medie.
“Bordi ekzekutiv e ka marrë një vendim dhe me qëllim që të jemi transparent, po atë ditë të vendimit ne kemi lëshuar një komunikatë ku janë treguar arsyet e këtij vendimi. BQK-ja është rregullator mbikëqyrës dhe njëkohësisht e ka për obligim që të bëjë edhe rregullimin e tarifave për kompanitë e sigurimeve”.
“Për këtë qëllim, BQK-ja duke vepruar konform legjislacionit në fuqi dhe duke respektuar rekomandimet e bëra nga Fondi Monetar Ndërkombëtar ka vendosur që të bëhet rishikimi i çmimeve aktuale”, është shprehur Mehmeti.
Para disa ditësh ka hyrë në fuqi vendimi i BQK-së për shtrenjtimin 26 për qind të sigurimit të automjeteve.