Mekanizmat kompetentë të shtetit në të drejtën e brendshme dhe ndërkombëtare: fokusi në Kosovë dhe parimi i supermacisë të së drejtës ndërkombëtare

26 tetor 2024 | 16:23

Shkruar nga: Prof. Dr. Fejzulla Berisha

Roli i mekanizmave shtetërorë në funksionimin e Republikës së Kosovës është qenësor, si në kuadrin e së drejtës së brendshme ashtu edhe në atë ndërkombëtare. Këto mekanizma veprojnë në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin Kosovës, duke respektuar hierarkinë e përcaktuar juridike. Në arenën ndërkombëtare, Kosova përfaqësohet nga institucione që marrin pjesë aktive në marrëveshje dhe zbatimin e normave ndërkombëtare, me synimin për mbrojtjen e interesave shtetërore në nivel global.

I.E drejta e brendshme e Kosovës përfshin një sërë aktesh juridike që rregullojnë funksionimin e institucioneve shtetërore, mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve dhe ndarjen e pushteteve. Mekanizmat kryesorë përfshijnë:

•Kuvendin organ legjislativ që miraton ligjet që rregullojnë jetën e përditshme dhe garanton të drejtat e qytetarëve. Kuvendi mbikëqyr Qeverinë, shqyrton dhe miraton buxhetin shtetëror, si dhe ushtron funksione të tjera kushtetuese.

•Qeveria dhe Administrata Publike, është përgjegjëse për zbatimin e politikave dhe ligjeve të miratuara nga Kuvendi, për menaxhimin e burimeve publike dhe përfaqësimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, dhe kryen një sërë funksionesh tjera ekzekutive, të bazuara në kushtetutë dhe në ligjet përkatëse.

•Sistemi i Pavarur Gjyqësor, siguron zbatimin e drejtësisë në çështje civile, penale dhe administrative, etj sistem i bazuar kushtetutë dhe ligjet përkatëse, por të ndaleni dhe të shtjellojmë mekanizmi e Gjykatës Kushtetuese në Kosovë-bazuar në (GJEDNJ).

Gjykata Kushtetuese, si rregull në veprimtarinë e saj luan përputhshmërinë e ligjeve dhe akteve të tjera normative me Kushtetutën, duke dhënë interpretime të detajuara juridike. Harmonizimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës me jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) është një nga aspektet më të rëndësishme të sistemit kushtetues të Kosovës, si një shtet që synon të forcojë demokracinë dhe të respektojë të drejtat themelore të qytetarëve. Edhe pse Kosova ende nuk është anëtare e Këshillit të Evropës dhe nuk ka qasje direkte në Gjykatën Evropiane, ajo është e obliguar që të respektojë dhe të përputhet me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, siç parashikohet në Kushtetutën e saj. Neni 53 i Kushtetutës së Kosovës thekson qartë se të drejtat dhe liritë themelore që garantohen nga Kushtetuta duhet të interpretohen në përputhje me praktikat dhe vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Ky nen krijon një detyrim ligjor për të respektuar dhe për të ndjekur standardet që vendos GJEDNJ, veçanërisht në interpretimin e të drejtave kushtetuese që lidhen me të drejtat e njeriut, siç janë e drejta për një gjykim të drejtë, e drejta për jetën, liria e shprehjes dhe të drejtat e pronës, etj.

II. E drejta ndërkombëtare dhe Kosova. Në arenën ndërkombëtare, Kosova përballet me sfida që lidhen me njohjen dhe integrimin e saj në organizata ndërkombëtare. E drejta ndërkombëtare rregullon marrëdhëniet e Kosovës me shtetet dhe organizatat e tjera, si dhe zbatimin e normave ndërkombëtare. Në dialogun Kosovë-Serbi dhe proceset e integrimeve euro-atlantike, Kosova ka pasur mbështetje të fuqishme nga SHBA-ja, veçanërisht në raste kyçe:

•Marrëveshja e Uashingtonit (2020): SHBA ndërmjetësoi një marrëveshje për normalizimin ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke ofruar një kornizë për stabilitet dhe integrime euro-atlantike.

•Njohja e Pavarësisë së Kosovës (2008): SHBA ishte ndër vendet e para që njohu pavarësinë e Kosovës, duke mbështetur aspiratat e saj për pavarësi dhe integrim ndërkombëtar.

•Përkrahja për anëtarësim në NATO: SHBA ka mbështetur zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe përfshirjen e saj në Partneritetin për Paqe, duke theksuar rëndësinë e forcimit të kapaciteteve të sigurisë.

•Roli në dialogun Kosovë-Serbi 2011 – 2024: SHBA ka luajtur një rol të rëndësishëm në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, duke bashkëpunuar ngushtë me partnerët evropianë dhe rajonalë. Kosova është palë në një sërë traktatesh dhe konventash ndërkombëtare që trajtojnë çështje si të drejtat e njeriut, tregtinë dhe mbrojtjen e mjedisit, duke përfshirë Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike (ICCPR) dhe Konventën për të Drejtat e Fëmijëve (CRC),etj.

III. Ndërlidhja e së drejtës ndërkombëtare me atë të brendshme. Mekanizmat shtetërorë në Kosovë janë ngushtësisht të lidhur me të drejtën ndërkombëtare për shkak të natyrës dhe strukturës juridike të vendit. Kushtetuta e Republikës së Kosovës parashikon që marrëveshjet ndërkombëtare, pas ratifikimit nga Kuvendi, bëhen pjesë e rendit juridik të brendshëm dhe kanë përparësi ndaj ligjeve të brendshme që bien në kundërshtim me to. Ky integrim i të drejtës ndërkombëtare në sistemin juridik të brendshëm reflekton varësinë dhe ndërveprimin midis këtyre dy fushave juridike.

Firmosja dhe ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare nënkupton delegimin e një pjese të sovranitetit shtetëror te obligimet ndërkombëtare. Shteti bie dakord të respektojë rregullat dhe standardet ndërkombëtare, edhe kur ato kërkojnë ndryshime në legjislacionin e brendshëm. Në rast kundërvënieje, organet ndërkombëtare, përfshirë gjykatat dhe organizatat, mund të ndërhyjnë për të siguruar që këto obligime të zbatohen. Në Kosovë, ky proces është i veçantë për shkak të kontekstit pas konfliktit dhe varësisë nga bashkëpunimi ndërkombëtar për ndërtimin e shtetit dhe stabilitetin.

IV. Supremacia e së drejtës ndërkombëtare. Supremacia e së drejtës ndërkombëtare është një parim themelor në marrëdhëniet ndërmjet së drejtës ndërkombëtare dhe asaj të brendshme. Në rast konflikti mes rregullave të së drejtës ndërkombëtare dhe legjislacionit të brendshëm, normat ndërkombëtare kanë përparësi. Kushtetuta e Kosovës (Neni 19) e përcakton qartë këtë përparësi të traktateve ndërkombëtare të ratifikuara mbi legjislacionin e brendshëm.

Aspiratat e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian kanë përshpejtuar procesin e integrimit të së drejtës ndërkombëtare në sistemin e saj të brendshëm, duke kërkuar përafrimin e legjislacionit kombëtar me standardet e BE-së dhe normat ndërkombëtare. Për stabilitet afatgjatë dhe për integrimin e plotë ndërkombëtar të Kosovës, është thelbësore që Serbia të përmbushë detyrimet e saj, ndërsa Kosova të vazhdojë reformat e brendshme dhe të fuqizojë diplomacinë e saj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Intervistë me Zoge Shalën, anëtare e Grupit të të Rinjve…