Meksika mbështet planin e Trumpit për emigrantët
Edhe pse është vendi me numrin më të lartë të emigrantëve në Shtetet e Bashkuara, Meksika ka vendosur të mbështesë planin e ri të presidentit Trump për azilkërkuesit, që nuk i lejon ata të hyjnë në territorin amerikan, por i lë në anën tjetër të kufirit.
Qeveria meksikane që pritet të marrë së shpejti detyrën është shprehur pro politikës së administratës Trump për azilkërkuesit, që i lë ata të presin në Meksikë teksa kërkesat e tyre shqyrtohen në gjykatat amerikane.
Lajmin e bën të ditur “Washington Post”, që citon zyrtarë meksikanë dhe anëtarë të stafit të presidentit të zgjedhur Manuel Lopez Obrador.
Sipas gazetës amerikane, një marrëveshje e re mes dy vendeve do të anulonte ligjet e hershme për azilin dhe do të ngrinte një pengesë të re për emigrantët nga Amerika Qendrore që kërkojnë të arrijnë Shtetet e Bashkuara, për t’i shpëtuar varfërisë dhe dhunës.
Megjithatë, ministrja e ardhshme e Punëve të Brendshme të Meksikës, Olga Sanchez Cordero ka deklaruar për “Washington Post” se plani i pagëzuar me emrin “Qëndroni në Meksikë” është vetëm një zgjidhje afatshkurtër e problemit.
“Zgjidhjet afatmesme dhe ato afatgjata arrihen kur njerëzit nuk emigrojnë më. Meksika i ka dyert e hapura, por karvan pas karvani situata kthehet në problem”, ka thënë Cordero, duke komentuar rastin e karvanit të njerëzve të nisur nga Hondurasi dhe Guatemala, që kanë mbetur të bllokuar në Tihuana.
E përditshmja amerikane saktëson se sipas pikave të planit, aplikantët për azil në kufi do të qëndrojnë në Meksikë teksa rastet e tyre gjykohen. Një praktikë kjo që i jep fund politikave të deritanishme, që deri më sot i ka lejuar azilkërkuesit të presin të sigurt në territorin e Shteteve të Bashkuara.