Meksika paralajmëron votë kundër Kosovës në Interpol
Ambasadori i Meksikës në Serbi, Marko Antonio Garcia Blanco, ka thënë të mërkurën se ky vend nuk e ka njohur Kosovën dhe se përsëri do të votojë kundër pranimit të Kosovës në Interpol.
Në një takim me sekretaren shtetërore të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, Biljana Popoviq – Ivkoviq, ai ka thënë se ligji ndërkombëtar duhet të respektohet, duke shtuar se qëndrimi i Meksikës me rastin e kandidaturës së Kosovës në Interpol do të mbetet i pandryshuar, transmeton “Klan Kosova”.
Gjatë takimit, zyrtarja serbe e ka falënderuar Meksikën për siç është thënë mbështetjen e Serbisë dhe respektimin e së drejtës ndërkombëtare gjatë votimit të vitit të kaluar mbi kërkesën e Kosovës për pranim në Interpol.
Më 26 qershor të këtij viti Komiteti Ekzekutiv i Interpolit me seli në Lion të Francës ka vendosur në favor të dërgimit të dosjes së Policisë së Kosovës për votim në Asamblenë e Përgjithshme të Interpolit e cila sivjet mbahet në Kili.