Meksika pritet të bëhet për herë të parë me presidente
Claudia Sheinbaum pritet të bëhet presidentja e parë grua e Meksikës, tregojnë exit poll-et.
Sipas tyre, ajo do të sigurojë rreth 56% të votave nga zgjedhjet e së dielës, duke mposhtur bindshëm rivalen e saj kryesore, biznesmenen Xochitl Galvez.
Nëse konfirmohen exit poll-et, Sheinbaum do ta zëvendësojë mentorin e saj, presidentin në largim, Andres Manuel Lopez Obrador, nisur nga 1 tetori.
Sheinbaum premtoi vazhdimësi të politikave të tij, duke thënë se do t’i ndjekë “përparimet” e bëra nga Lopez Obrador.
Partia e tyre Morena e shpalli tashmë fitoren, por Galvez u kërkoi mbështetësve të saj t’i presin rezultatet zyrtare, që do të bëhen publike gjatë ditës së hënë.
Zgjedhjet, të cilat përballën Sheinbaumin dhe Galvezin, u përshkruan si një ndryshim i madh për të drejtat e grave në Meksikë.
Sheinbaum, 61 vjeçe, shërbeu më herët si kryetare e Meksiko Sitit. /REL/